Enver Hoxha dhe Fatbardh Dabinovci, prej vitesh janë pjesë e KEK-ut. Ata janë nip e daj. Me rekrutimet e fundit në korporatë, pjesë e KEK-ut janë bërë edhe djali i Hoxhës e vëllai i Dabinovcit.
Kastriot Kokollari
Menaxheri i Sigurisë në Mihje të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Enver Hoxha punon prej vitesh në korporatë.
Ai ndan të njëjtin vend pune, në ndërmarrjen e rëndësishme publike, me nipin e tij, Fatbardh Dabinovcin, po ashtu të punësuar më parë në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Por, dajë e nip, tash e tutje do të shoqërohen brenda ndërmarrjes edhe me dy familjarë të tjerë të tyre.
Pjesë e stafit punonjës të KEK-ut, pas një konkursi të dyshimtë për shkelje ligjore e profesionale, janë bërë edhe Donard Hoxha, djali i Enver Hoxhës, si dhe Fatlum Dabinovci, vëllai i Fatbardh Dabinovcit.
Paparaci, ka gjetur se djali i Enver Hoxhës dhe vëllai i Fatbardh Dabinovcit janë rekrutuar në punë në dy pozita të ndryshme.
Donard Hoxha është punësuar në pozitën e manipuluesit të shiritave transportues, bazuar në listën e të punësuarve të cilat i posedon Paparaci. Ai është renditur i fundit nga 50 të rekrutuarit për këtë pozitë.
Ndërkaq, Fatlum Dabinovci është punësuar në pozitën e teknikut të makinerisë. Vëllai i Fatbardh Dabinovcit, i cili punon në Qendër në Toskanë të KEK-ut, është renditur po ashtu i fundit në listën e 45 të punësuarve si teknik të makinerisë.
Paparaci, nga burime brenda KEK-ut ka raportuar të hënën se 40 të punësuar në konkursin që deri sot rekrutoi 128 punëtorë, kanë deklaruar në mënyrë të hapur se kanë familjarë të punësuar në KEK.
Në mesin e tyre, figurojnë edhe emrat e Donard Hoxhës dhe Fatbardh Dabinovcit.
Të martën në media është publikuar një fotografi e cila shfaq Enver Hoxhën dhe Dabinovcin në shoqërinë e Mefail Bajqinovcit, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Fotografinë e kishte shpërndarë në Facebook, më 2019, deputeti i LVV-së.
“Me dy përkrahësit e mi Enverin dhe Fatbardhin”, shkruante Bajqinovci në përshkrimin e fotografisë.

Mefail Bajqinovci, Enver Hoxha dhe Fatbardh Dabinovci
Një hulumtim i Paparacit, i publikuar të hënën, nxori në pah shkeljet e rënda ligjore në procesin e rekrutimit të 128 punëtorëve në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Njerëz të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet, si dhe të afërm të anëtarëve të komisionit intervistues të punësimit, figurojnë në mesin e të punësuarve në KEK.
Ndërmarrja Publike e KEK-ut, ka pasur edhe më herët punësime familjare, por kurrë në këtë nivel. Krejtësisht në mënyrë të hapur. Në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Penal.
Ndërkohë, shumë kandidatë që kanë pasur nga 80 pikë deri 100 pikë, nuk janë pranuar në punë me arsyetimin se gjatë intervistës verbale kanë dështuar.
Së fundmi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar hetime për shkeljet e dyshuara në procesin rekrutues të 128 punëtorëve në Korporatën Energjetike të Kosovës, të cilat i zbuloi një hulumtim i Paparacit të hënën. /Paparaci.com
Lexo edhe:
Nepotizëm, konflikt interesi, punësime militantësh – krimi i pushtetit me punësime në KEK
