fbpx

A do t’i thellojë problemet e aleancës anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO?

Nga Zachary Selden

“War On the Rock”

Pesëmbëdhjetë vite më parë isha në një takim në Stokholm me një grup deputetësh nga vendet anëtare të NATO-s dhe homologët e tyre suedezë. Ndodheshim atje për të diskutuar mbi një sërë çështjesh, përfshirë pjesëmarrjen e Suedisë në operacionet e NATO-s.

Mikpritësit tanë suedezë na çuan me varkë në një ishull të bukur për të darkuar. Gjatë mbrëmjes, një anëtar i delegacionit të NATO-s pyeti një deputete suedeze se pse nuk anëtarësoheshin në aleancë, duke pasur parasysh nivelin shumë të ngushtë të partneritetit.

Ajo tha se nuk ishte koha e duhur, duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë. Më pas u kthye nga unë për të pyetur: “Si është ajo shprehja në anglisht?”, duke treguar varkën që na solli nëishull. “Mos e tund varkën!”- u përgjigja. Është e qartë se Suedia dhe Finlanda kanë vendosur sot se është koha që “ta tundin varkën”.

Fakti që 2 shtete të paangazhuara në afërsi të Rusisë, duan t’i bashkohen NATO-n ka pasoja strategjike. Por në kundërshtim me atë që argumentojnë shumica, zgjerimi i aleancës me këto 2 vendeve do ta ndryshojë shumë më tepër aleancën sesa zgjerimet e mëparshme.

Këto të fundit ndodhën më tepër si pjesë e integrimit të shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore në institucionet perëndimore, veçanërisht në Bashkimin Evropian, sesa si një një akt mbrojtës ndaj Rusisë. Ndërkohë, Suedia dhe Finlanda po i bashkohen sot NATO-s për hir të angazhimit të SHBA-së për sigurinë e vendeve anëtare përballë agresionit rus.

Ndaj ky anëtarësim ka të ngjarë t’i përkeqësojë tensionet në aleancë, midis atyre anëtarëve që janë përqendruar në ndërtimin e autonomisë strategjike evropiane, sidomos Francës, dhe atyre që janë më të shqetësuar për ruajtjen e një marrëdhënieje të fortë sigurie transatlantike,të varur shumë nga fuqia ushtarake amerikane.

Nëse Suedia dhe Finlanda do të kishin besim në aftësinë e Bashkimit Evropian për të arritur një autonomi strategjike kuptimplote, të mbështetur nga fuqia ushtarake, nuk do të kishte nevojë që të anëtarësoheshin në NATO.

Po ashtu, Suedia dhe Finlanda sjellin në aleancë më shumë asete financiare dhe ushtarake sesa shtetet në raundet e mëparshme të zgjerimit, dhe do t’i përdorin ato për ta formësuar sa më shumë NATO-n sipas interesave të tyre. Kjo ka të ngjarë të çojë tek një prani më e madhe ajrore dhe detare e NATO-s në Baltik, si dhe tek një fokus më i madh të NATO-s në Arktik.

Në të dyja aspektet, Suedia dhe Finlanda do të qëndrojnë më afër pozicionit britanik. Suedia dhe Finlanda po i bashkohen tani NATO-s për shkak të ndjenjës së tyre të rritur të cenueshmërisë pas pushtimit rus të Ukrainës. Por sot harrohet fakti që frika nga veprimet ushtarake ruse, nuk ishte faktori kryesor që i nxiti shumë shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore të aplikonin për anëtarësim në NATO në raundet e mëparshme të zgjerimit.

NATO është zgjeruar që nga fundi i Luftës së Ftohtë me kërkesë të shteteve aspirante. Në vitin 1999, në aleancë u futën Polonia, Hungaria dhe Çekosllovakia. Në vitin 2004, u miratua hyrja e vendeve që ishin më parë pjesë e Bashkimit Sovjetik (Estonia, Letonia dhe Lituania), por edhe e Sllovenisë, Sllovakisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.

Shqipëria dhe Kroacia u bashkuan në vitin 2009, dhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nëvitet 2017 dhe 2020. Në të gjitha këto raste, anëtarësimit i parapriu një procesi të gjatë, ku çdo shtet aspirant plotësoi standardet e caktuara. Dhe këtu nuk përfshiheshin vetëm përputhshmëria dhe aftësia ushtarake, por edhe forca e institucioneve demokratike.

Çdo anëtar aspirant kaloi neper një proces të gjatë të Planit të Veprimit të Anëtarësimit, në të cilin progresi vlerësohej vazhdimisht në fusha të tilla si ndërtimi i një gjyqësori të pavarur, krijimi i proceseve zgjedhore transparente dhe ndërtimi i një ekonomie të bazuar tek tregu i lirë.

Shumë nga kërkesat e procesit të anëtarësimit përputheshin me reformat e ndërmarra nga secili prej këtyre vendeve në përpjekjet e tyre për anëtarësim në BE. Prandaj anëtarësimi në NATO ,shihej si një hap i rëndësishëm përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE, dhe të dyja u diskutuan shpesh si pjesë e një pakete që çon në “integrimin euroatlantik”.

Siguria nga veprimet ruse dhe integriteti territorial, ishte qartazi prioritare për shtetet baltike. Por shumica e vendeve që janë anëtarësuar në NATO gjatë 20 viteve të fundit, nuk ndajnë një kufi me Rusinë, dhe ishin më të shqetësuar për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian sesa për çdo lloj kërcënimi që mund të vinte nga Moska.

Vlen të kujtohet se kur ndodhi zgjerimi i madh i NATO-s në vitin 2004, NATO dhe Rusia ikishin përmirësuar marrëdhëniet, aq sa formuan Këshillin NATO-Rusi. Rusia kishte një mision të plotë diplomatik në selinë e NATO-s dhe presidenti Vladimir Putin shihej ende gjerësisht si një lider reformator.

Me pak fjalë, shumica e shteteve që iu bashkuan NATO-s midis viteve 1999–2020 nuk kishin burimet financiare dhe ushtarake për të qenë kontribues të rëndësishëm në aftësitë ushtarake të aleancës. Ata ishin më të interesuar për integrimin në Perëndim, sesa për sigurinë e tyre nga veprimi ushtarak i Rusisë.

Ndërkohë, Finlanda dhe Suedia kanë pak të përbashkëta me shtetet që janë anëtarësuar në NATO që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ata po i bashkohen tani aleancës, vetëm për të marrë një garanci sigurie të mbështetur nga fuqia ushtarake amerikane. Ato nuk janë demokraci të reja që kërkojnë inkorporim në strukturat evropiane.

Përkundrazi ato janë ekonomi tregu shumë të zhvilluara, dhe anëtare të vjetra të Bashkimit Evropian. Ushtria e tyre dhe bazat e tyre në industrinë e mbrojtjes janë superiore në krahasim me ato të shumë anëtarëve të NATO-s . Si shtete të paangazhuara, ato e ruajtën aftësitë e tyre ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, në një shkallë të tillë që nuk ishte parë tekshumica e shteteve të tjera evropiane.

Këta faktorë do të ndikojnë në kontributin e tyre të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në NATO,dhe do t’u japin atyre shumë më tepër ndikim sesa shtetet që iu bashkuan aleancës në zgjerimet e mëparshme. Ato sjellin burime të rëndësishme financiare dhe ushtarake, dhe ka të ngjarë ta përdorin atë si levë në diskutimet e politikave të NATO-s.

NATO financohet nga kontributet e drejtpërdrejta financiare nga anëtarët, dhe më e rëndësishmja, nga kontributet indirekte sa i përket personelit ushtarak dhe pajisjeve nga autoritetet kombëtare për operacionet e NATO-s. Sa i përket buxheteve të përbashkëta të NATO-s (të dallueshme nga buxhetet e mbrojtjes kombëtare), Finlanda dhe Suedia ka të ngjarë të paguajnë afërsisht 1.2 për qind dhe 2.2 për qind të PBB.

Kjo shifër mund të mos jetë shumë në krahasim me pjesën e SHBA-së (16 për qind), por gjithsesi e vendos Suedinë dhe Finlandën në të njëjtën kategori me Danimarkën. Por ndikimi i vërtetë i Finlandës dhe Suedisë, do të vijë nga kontributet e tyre indirekte.

Finlanda dhe Suedia janë shumë të dallueshme në disa mënyra (për shembull Finlanda ka një ushtri me bazë rekrutimin e detyrueshëm), por që të dyja janë më të përgatitura se shumica e anëtarëve të NATO-s për të mbrojtur territorin e tyre, si dhe për të vendosur forca si pjesë e misioneve jashtë rajonit.

Në fakt, që të dyja këto vende kanë qenë kontributore të rëndësishme në misionet e NATO-s përpara se të aplikonin për anëtarësim, veçanërisht në Ballkan. Për këto arsye, nuk ka gjasa që të mbeten në prapavijë në takimet e Këshillit të Atlantikut të Veriut. Por si mund ta ndryshojë NATO-n anëtarësimi i tyre?

Së pari, ka të ngjarë të ketë një nxitje për më shumë fokus të NATO-s në rajonin e Baltikut . Kjo nuk është diçka e re, pasi NATO i ka kushtuar vëmendje të veçantë rajonit nëpërmjet dislokimeve dhe stërvitjeve të trupave tokësore në Estoni, Letoni dhe Lituani.

Por aktivitetet e aleancës në këtë rajon, ka të ngjarë të fokusohen shumë më tepër tek operacionet detare dhe ajrore, pasi Suedia dhe Finlanda kanë një forcë ajrore të madhe dhe të sofistikuar. Që të dyja ato ka të ngjarë të tërheqin më shumë vëmendje në rajonin e Arktikut, si një zonë e konkurrencës me Rusinë.

Por kjo mund të përkeqësojë disa tensione në aleancë. Për shembull, Franca, është përgjithësisht përkrahëse e një fokusi më Mesdhetar të aleancës. NATO është padyshim e aftë t’i bëjë që të dyja, por me Suedinë dhe Finlandën ekuilibri do të zhvendoset drejt veriut. Ndaj do të duhet një diplomaci e shkathët për të balancuar prioritetet, dhe për të ruajtur solidaritetin e aleancës.

Marrë me shkurtime/bota.al

spot_img