Të fundit

Raison d’être e “Ballkanit të Hapur”

Në vend të një reagimi konceptualisht përmbajtjesor, mbështetur në ontologjinë me bërthamë të pastër, në sigurinë dhe gjeopolitikën e “Ballkanit të Hapur”, në Kosovë po shohim në vazhdimësi paraqitje mediokre fenomenologjike, që e përshkruan fenomenin ashtu siç shihet, pra që e sheh “Ballkanin e Hapur” si projekt serb dhe refuzon çdo pjesëmarrje në të. Me këtë përshkrim Serbisë së Vuçiqit i krijohet një terren tjetër shtesë për manovrim kundër Kosovës dhe ruhet pozicioni i status quosë, ky pozicion bonus dhe kjo dividendë politike serbe, që lideri serb me aq mjeshtëri i ka prodhuar dhe po i mirëmban me shumë mjeshtëri ditë e natë.

Pas pranimit të Kroacisë në Bashkimit Evropian (BE) ka nisur të bëhet fjalë për atë që u cilësua si lodhje (“fatigue”) e BE-së me procesin e zgjerimit. Nuk u tha hapur, por bëhet fjalë për një rraskapitje momentale, jo vetëm lodhje, e konceptit gjeopolitik të BE-së, që vinte si pasojë e mungesës së një vizioni të qartë mbi rolin dhe pozitën e Evropës në marrëdhëniet ndërkombëtare, pas “Pranverës Arabe” dhe ngjarjeve që pasuan.

Fatigue-a e BE-së

Kërkesat e ngjarjeve arabe që nisën në Egjipt më 2010 ishin në dukje të njëjta me ato të revolucioneve të buta evropiane që çuan në rënien e komunizmit, kërkesa për më shumë liri e demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut. Keqmenaxhimi i “Pranverës Arabe” bëri që vakumi i ngelur prapa nga rënia e regjimeve autoritare të plotësohet nga projektet e islamit politik selafist, të cilat u përhapën me shpejtësi marramendëse. Krijesa e re, e njohur si ISIS, u bë projekti alternativ i “Pranverës Arabe”, duke shtyrë mënjanë edhe “Vëllazërinë Myslimane” që në fillim u pa si kërcënim për idetë liberale në botën arabe: ISIS-i dhe degët e tij absorbuan të gjitha rrymat e islamit radikal, kryesisht selafist, për t’iu kundërvënë Perëndimit me ashpërsinë e paparë deri atëherë. Kjo kërkonte përgjigje ushtarake, përkatësisht eliminimin e ISIS-it si rrezik ushtarak dhe, për pasojë, një koalicion të gjerë “të të vullnetshmëve”. Të mërzitur nga ndjekja e rrugës amerikane në Afganistan e Irak, shumica e evropianëve shpallën “fatigë-n” e tyre, si rezistencë në heshtje ndaj politikave amerikane në Lindje të Mesme dhe në Afganistan. Ndihma ruse në luftën kundër ISIS-it, ndërkaq, kishte qëllim të qartë politik, dhe krejt të kundërt me atë të amerikanëve dhe aleatëve të tyre – ruajtjen e regjimit në Damask dhe shtrirjen e ndikimit që dikur ish-BRSS-ja kishte pasur në atë pjesë të botës. Serioziteti i angazhimit amerikan në luftën kundër ISIS-it u pa vetëm atëherë kur rusët rimorën Sirinë, kurse Turqia humbi busullën gjeopolitike duke iu shpallur luftë aleatëve perëndimorë, nën arsyetimin e luftës kundër nacionalizmit kurd, dhe kur mijëra refugjatë mësynë Evropën. Këto ngjarje trasuan një rrugë të kundërt në BE – ngritjen e mureve dhe telave me gjemba dhe Brexitin. Kjo vinte në pikëpyetje serioze kapacitetet mbrojtëse dhe aftësinë për zgjerim të ndikimit të Evropës përtej vendeve të BE-së.

100-vjetori i “Foreign Affairs” dhe bombardimi i Japonisë

Si lexues i devotshëm i “Foreign Affairs”, për dekada të tëra që shkojnë në ditët e mia studentore, pata nderin të isha pjesëmarrës i një adresimi të sekretarit të Jashtëm të SHBA-së, Antony Blinken, që ua bëri anëtarëve të kësaj reviste prestigjioze. Asnjë fjalë nuk u tha për Ballkanin, përkundër që pati pyetje për të dhe për Kosovën: fokusi i këtij adresimi, që ndodhi për një orë në pasditen e datës 1 qershor, kishte të bënte me Ukrainën, Rusinë, Kinën dhe, shumë pak, me marrëdhëniet e SHBA-së me kurorën problematike saudite. Krejt kjo në funksion të ruajtjes së rendit ndërkombëtar që bazohet në rregulla dhe që u krijua te amerikanët pas Luftës së Dytë Botërore. Adresimi vuri në spikamë vështirësitë në të cilat amerikanët po hasin në përpjekjet e tyre për të ruajtur këtë rend: në njërën anë duhet mbështetur Ukrainën ushtarakisht, për të ruajtur rregullat themelore të rendit ndërkombëtar mbi integritetin territorial të shteteve sovrane dhe, në anën tjetër, duhet balancuar Kinën në Indo-Pacifik dhe, mbi të gjitha, duhet dekurajuar çdo synim kinez për agresion ndaj Tajvanit. Kjo kërkon kërcënim të besueshëm me përdorim të forcës ushtarake amerikane për të mbrojtur këtë vend aleat.

Çfarë lidhjeje ka krejt kjo me Ballkanin, do të thoshin laikët?

Kur nisi “Pranvera Arabe”, Ballkani nuk u prek në ndonjë mënyrë të ndjeshme. Kjo ndryshoi kur nisi lufta në Siri: nga përpjekjet për rrëzimin e diktatorit Bashar al-Assad, angazhimi i ballkanasve u kthye në mbështetje për ISIS-in dhe rrymat e tjera të islamit radikal. Shqiptarët u veçuan me luftën e tyre në anën e ISIS-it, rrethanë që edhe më shumë “lodhte” përpjekjet e BE-së për zgjerim në Ballkanin Perëndimor. Arsyetimin politik, kjo lodhje e gjente në konsideratat amerikane të sigurisë, që i shihte si fajtorin kryesor për komplikim të situatës së sigurisë në Evropë. Besimi se zgjerimi në drejtim të juglindjes evropiane përbën një rrezik për vlerat dhe të arriturat e BE-së u bë normë aty nga fundi i mandatit të presidentit amerikan B. Obama. Në të njëjtën kohë, kjo shënon momentin kyç për nisjen e idesë mbi “Ballkanin e Hapur”, si një përpjekje për të fuqizuar nga brenda potencialin ballkanik për evropianizim të vetvetes, në vend të pritjes pa fund që BE-ja të bëjë një gjë të tillë. “Ballkani i Hapur”, me këtë qasje po shërbente si një strukturë në hije për mbylljen e vakumit të mbetur prapa nga lodhja e BE-së, vakum që u krijua si pasojë e zhgënjimit të njerëzve të rajonit me projektin evropian. Ky vakum tashmë nisi të plotësohej me islam politik, me ndikimin kinez dhe rus, në format nga më të ndryshmet (prej investimeve infrastrukturore, projekteve humanitare e deri te ndikimet në media dhe në proceset demokratike të vendeve të Ballkanit). Përshpejtimi i hyrjes në NATO të vendeve të Ballkanit i shërbeu mbylljes efektive të vakumit të sigurisë që po thellohej çdo ditë e më shumë, si rezultat i pasivitetit të politikave të sigurisë së BE-së. Në pritje të një procesi të ngjashëm që njihet si Procesi i Berlinit, që nuk është veçse një shenjë e lodhjes së BE-së nga zgjerimi, jo shenjë e vitalitetit të saj, duhej bërë diçka më shpejt dhe më shumë se premtimet pafund të BE-së për integrim të rajonit në të, nëse nuk dëshirohej lënia e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mëshirën e rrymave të islamit politik, ndikimit ekonomik kinez dhe versionit rus të zhvillimit të demokracisë autoritare.

Në ndërkohën e përpëlitjeve si më sipër rreth ideve e projekteve mbi fatin e Ballkanit Perëndimor, Serbia kishte shkuar larg me bashkëpunimin me rusët dhe kinezët, duke qenë vendi ekzemplar ku kinezët e rusët kishin vënë dorë e ndikim të madh në vitet pas rirreshtimeve të “Pranverës Arabe”. Ky fakt bëri që asaj t’i jepej një vend i spikatur në këtë iniciativë të re ballkanike: Serbia duhej hequr nga ndikimi rus e kinez. Kjo mund të bëhej duke ia njohur asaj një pozitë të privilegjuar, për shkak të sentimentit të lartë serb prorus dhe prokinez, përkatësisht për shkak të sentimentit antiamerikan. I tillë kishte qenë edhe sentimenti i japonezëve të zakonshëm pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët gradualisht amerikanët i kthyen në një ndër aleatët e tyre më besnikë në arenën ndërkombëtare. Këtë duan ta bëjnë me Serbinë dhe me serbët, në mënyrë graduale, fillimisht duke i lënë Serbisë një rol të spikatur të hegjemonit rajonal, në ndërkohë që punojnë për të reformuar ushtrinë serbe, forcën kryesore tradicionale represive serbe, që kishte bërë gjenocid e masakër në vendet e popujt fqinjë. Ky është mesazhi që Edi Ramës, kryeministrit shqiptar, ia kishte thënë Chris Hill në Ohër, gjatë Samitit të “Ballkanit të Hapur” ditë më parë, duke i treguar se ata kishin bombarduar japonezët me armë nukleare, për t’i pasur sot aleatë të tyre besnikë! A ka mesazh më të qarët se kaq!? Ky është përfitimi i parë serb i politikës amerikane të balancimit strategjik pa Rusinë, pas agresionit rus në Ukrainë, krejt me qëllim të përdorimit të Serbisë për të ngushtuar hapësirën ruse e atë kineze në Ballkan.

Ontologjia e “Ballkanit të Hapur”

Sikundër shihet, raison d’etre e “Ballkanit të Hapur”, arsyeja e qenies së tij si projekt, lidhet me zhvillimet në Lindje të Mesme, fillimisht me krizën humanitare që prodhoi, dhe afrimin përditë e më shumë të Serbisë me Rusinë dhe Kinën. Në ndërkohë që lodhja e BE-së po thellohej, Ballkani Perëndimor ngeli si një zonë gri e sigurisë, ku rusët e kinezët hodhën spirancat e tyre të praktikave autoritare të qeverisjes politike dhe të zhvillimit ekonomik sipas modeleve antievropiane. Nuk ishte vetëm Serbia që po afektohej, por edhe Mali i Zi e Maqedonia e Veriut. Për shkak të stofit kulturor dhe afërsisë tradicionale me rusët, si dhe bashkëpunimit të ngushtë me Kinën, për shkak të nevojës për para të pista dhe zhvillim infrastrukturor të shpejtë dhe jotransparent. Kjo prodhoi rrezik të lartë të sigurisë për evropianët, të cilën ata vetë sikur nuk donin ta shihnin. Këtë mendim nuk e ndanin strategët matanë Atlantikut, të cilët me shpejtësi futën në NATO vendet e Ballkanit, duke e bërë Adriatikun të pamundur për ankorim të anijeve ushtarake ruse e kineze.

Aspektin ekonomik, me konsiderata të fuqishme të sigurisë, ngeli për ta plotësuar “Ballkani i Hapur”, projekt që fitoi fuqi të madhe pas tragjedisë në Ukrainë. Një rol i ri për Serbinë u krijua, aktorin kyç prorus e prokinez në rajon, që ishte i kundërt me pritjet kosovare: ajo duhej larguar nga ndikimi ruso-kinez, jo vendet e tjera të Ballkanit, gjë që kërkonte nga amerikanët, të cilët kishin bombarduar Serbinë, të luanin një rol konstruktiv me Serbinë, e cila u bë e përkëdhelura e Perëndimit. Serbisë, jo të tjerëve, iu njoh roli parësor në dëbimin e rusëve dhe kinezëve nga Ballkani. Vetëm ajo mund ta bënte këtë, jo të tjerët! A nuk ishte vetëm Japonia ajo që mund ta largonte ndikimin e komunizmit në Lindje të Largët pas vitit 1945?! A nuk ishte vetëm Japonia që mund të shërbente si zonë amerikane e sigurisë në Pacifikun Perëndimor pas luftës në Kore?! Vetëm më vonë u krijuan aleatët e tjerë amerikanë atje.

Problemi ka rrënjë të thella sigurie, ontologjikisht shikuar, me pikë referimi Serbinë, gjë që shpjegon sjelljet aktuale të liderit populist serb A. Vuçiq, të cilit duket qartë se nuk i bëhet vonë asnjë zvarritje e mbylljes së problemeve të hapura me Kosovën. Në fakt, ai e ka jetike zvarritjen e dialogut dhe mbylljen e problemeve me Kosovën. Me sa duket, as perëndimorët nuk mund të nguten më shumë se kaq, për shkak të luftës së ashpër me Rusinë dhe balancimin po aq ekzistencial të Kinës në raport me çështjen e Tajvanit dhe me rajonin Indo-Pacifik. Në vend të një reagimi konceptualisht përmbajtjesor, mbështetur në ontologjinë me bërthamë të pastër sigurinë dhe gjeopolitikën e “Ballkanit të Hapur”, në Kosovë po shohim në vazhdimësi paraqitje mediokre fenomenologjike, që përshkruan fenomenin ashtu siç shihet, pra që e sheh “Ballkanin e Hapur” si projekt serb dhe refuzon çdo pjesëmarrje në të. Me këtë përshkrim Serbisë së Vuçiqit i krijohet një terren tjetër shtesë për manovrim kundër Kosovës dhe ruhet pozicioni i status quosë, ky pozicion bonus dhe kjo dividendë politike serbe, që lideri serb me aq mjeshtri i ka prodhuar dhe po i mirëmban me shumë mjeshtri ditë e natë.

Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Video nga Paradoks

“S’ka vend ma t’fortë se Bellaqefci”: Valon Syla imiton e flet për turqit – “Si mongol, si Samurai”, këndon Poçarin e Ilir Shaqirit e tregon rastin komik me shqiptarët në Turqi.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci