Të fundit

Roli i mërgatës shqiptare në SHBA

Pa kontributet dhe pjesëmarrjen aktive të mërgatës shqiptare kudo në botë, as që mund të mendohet se sa do të vonohej Pavarësia e Shqipërisë, por edhe gati pas një shekulli, pavarësia e shumëpritur e Kosovës.

Në kapërcyell të shekullit të kaluar mërgata shqiptare në Kalabri dhe Siçili të Italisë, në Kairo dhe Aleksandri të Egjiptit, në Stamboll të Turqisë, në Bullgari, në Bukuresht e në mbarë Rumaninë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte promotori i Lëvizjes Kombëtare, së pari i Rilindjes sonë Kombëtare e pastaj, edhe i Pavarësisë së Shqipërisë së sotme.

Kur fatet e trojeve tona dhe kombit tonë në përgjithësi, kur përçarja fetare dhe krahinore po nxitej në të gjitha mënyrat e mundshme nga pushtuesit, por edhe nga synimet ekspasioniste të fqinjëve tanë, ishte mërgata jonë ajo që e zgjoi dhe e ngriti lart vetëdijen tonë kombëtare.

Jeronim De Rada në Kalabri, Thimi Mitko në Egjipt, vëllezërit Frashëri në Stamboll, nga Elena Gjika e deri te Asdreni në Rumani, Faik Konica në Belgjikë, e më vonë së bashku me Kristo Dakon, Fan Nolin dhe shumë patriotë të tjerë të mbledhur në “Vatrën” e Amerikës dhe gazetën “Dielli”, hodhën dhe përbëjnë themelet e zhvillimeve kulturore dhe politike të kombit tonë, atëherë kur fatet e tij ishin në zgrip të ekzistencës.

Mërgata jonë botojë librat, gazetat dhe revistat e para në gjuhën shqipe, shkroi librat e parë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, solli bandën e parë muzikore nga Amerika dhe krijoi grupin patriotik e kulturor “Lira” në Korçë, por ata erdhën dhe rrokën armët në dorë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Mblodhë paratë e para për bugjetin e shtetit të pavarur të Shqipërisë. Morën pjesë më pushkë në dorë në luftën e Vlorës.

Nga takimi me mërgatën shqiptare të Rumanisë dhe me ndihmën financiare të tyre, Ismail Qemaili erdhi në Vlorë dhe ngriti flamurin e Skënderbeut, si dhe shpalli Pavarësinë tonë. Po aty, në Bukuresht, u shkrua edhe i pavdekshmi “Himn i Flamurit” nga Asdreni.
Mbi të gjitha, mërgata shqiptare është në themelet e çdo vlere të lartë kombëtare që kemi sot, si në gjuhë, kulturë, arte, politikë dhe shtet-formim.

Pa rolin e mërgatës shqiptare në botë, sot fatet e kombit tonë do të ishin krejt ndryshe, në përgjithësi.Do të duheshin muaj dhe vite të flitej, shkruhej dhe të vihej në pah i gjithë roli i mërgatës sonë për trojet shqiptare në vite e shekuj.
Në ditët e sotme, një gjë është e qartë si drita e diellit, se pa rolin e mërgatës sonë nuk do të kishim Shqipëri të pavarur, nuk do të kishim liri, pluralizëm dhe demokratizim të Shqipërisë në vitet ’90-të, madje as çlirim dhe pavarësi të Kosovës.
Një rol të veçantë dhe te jashtëzakonshëm ka luajtur mërgata jonë e vjetër dhe e re, në Shtetet e Bashkuara të Bashkuara të Amerikës.

Dëshmia me e freskët dhe kuptimplote është pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë nga SHBA, me Batalionin “Atlantiku” në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjet e armatosura të fundit që ndodhën në trojet tona etnike.
Kontributi i mërgatës sonë në SHBA, me penë dhe pushkë në dorë, por edhe me financime vullnetare, dhe mbi të gjitha me njohjet dhe lidhjet miqësore me politikanë dhe drejtues të lartë shtetërorë në SHBA, bën të mundur që lidhjet në mes të popullit shqiptar dhe atij amerikan të jenë kaq të forta dhe të mëdha, siç i kemi sot.

Që nga takimi i parë i Imzot Fan Nolit dhe grupit të mërgatës shqiptare me Presidentin Woodrow Wilson, e deri të vizita historike e Presidentit Xhorxh W. Bush në Tiranë, si pika kulmore të lidhjeve shqiptaro-amerikane, kemi pasur hendekun e madh të 50 viteve diktature komuniste në Shqipëri dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, por për fatin tonë të madh kishim mërgatën tonë në Amerikë që asnjëherë nuk i ndërpreu, por çdoherë e më shumë i forcoi marrëdhëniet me popullin dhe institucionet amerikane.
Vizita e Presidentit Bush në Tiranë na dha sihariqin e shumëpritur, paralajmëroi dhe shpalli jozyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ëndërr që u bë realitet vetëm pak kohë më pas.
Në të njëjtën kohë kjo mërgatë, punoi për mbijetesën e vet, ngritjen e mirëqenies ekonomike, shkollimin e fëmijëve, por asnjëherë nuk e la mënjanë luftën për demokratizimin e Shqipërisë dhe lirinë e pavarësinë e trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi.
Në 30-vitet e fundit, veprimet e drejtuesve më të lartë të SHBA-së për shqiptaret janë të jashtëzakonshme, çdoherë dhe në çdo hap është prania e mërgatës tonë në tokën amerikane.

Ia vlen për t’u përmendur vizita e Sekretarit të Shtetit Xhejms Beker III, me ftesë të liderit të opozitë së sapoformuar dr.Sali Berisha, vetëm disa muaj pas rivendosje së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, kërcënimin e Krishtlindjeve të Presidentit Xhorxh Herbert Bush, vendimin e Presidentit Bill Klinton për ndërhyrje ushtarake për lirinë e Kosovës, vizitat e Sekretares Ollbrajt, Sekretares Klinton, Sekretarit Ramsfeld, Gjenerali Klark dhe shumë personaliteteve të tjera të rëndësishme shtetërore amerikane, deri të vizita e Presidentit Xhorxh W. Bush dhe vizita të personaliteteve të tjera pas tij në Shqipëri dhe Kosovë, pa dyshim që shumë i madh është edhe roli i mërgatës sonë në SHBA.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, aleancën më të fuqishme ushtarake dhe polike që ka njohur ndonjëherë bota si dhe Kosova e pavarur, realizimi i të drejtave të shqiptarëve kudo në trojet e tyre, është vepër edhe e mërgatës sonë në SHBA, që loboi dhe lobon pandërprerë te miqtë e tyre kongresmenë e senatorë amerikanë, për fatet e kombit tonë në Ballkan.

Sidoqoftë, 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë është një moment i veçantë për të gjithë ne dhe shumë i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve midis dy kombeve tona.
Ky 100-vjetor është përvjetor simbol miqësie dhe bashkëpunimi midis dy kombeve dhe shteteve tona, pas një armiqësie absurde 50-vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara, dhe në themelet e kësaj miqësie qëndron i palëkundur edhe kontributi i paçmuar i mërgatës tonë në SHBA.
Pas pothuaj një gjysmë shekulli komunizëm, 15 marsi i vitit 1991 shënon edhe lidhjet e para zyrtare Shqipëri-Amerikë, dhe nuk kishte se si mos të ishin aty të pranishëm shqiptaro-amerikanët në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, ku u firmos “Memorandumi i Mirëkuptimit”, i cili rivendosi, zyrtarisht, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona.

Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit pas një gjysmë shekulli, një javë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve erdhi në Shqipëri për dy javë, në mars/prill 1991dhe patjetër që pjesë të delegacionit kishte edhe shqiptaro-amerikanë të shquar të mërgatës tonë në SHBA.
Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane dhe kultivimi i tyre ka qenë një objektiv, për të cilin kanë punuar shumë breza shqiptaro-amerikanësh nga të gjitha trojet shqiptare gjatë 100-viteve të kaluara.

Le t’i kujtojmë ata atdhetarë sot dhe t’i falënderojmë me gjithë zemër, se edhe me gjithë dështimet për shkak të refuzimit të regjimit komunist për t’i rivendosur ato marrëdhënie gjatë dekadave të shekullit të kaluar, këta atdhetarë shqiptaro-amerikanë, nuk u dorëzuan kurrë dhe as nuk u tërhoqën asnjëherë nga idea e miqësisë së fortë amerikano-shqiptare, më gjithë propagandën anti-amerikane që vinte nga Tirana e kuqe dhe ideologjia e dështuar staliniste.

Shqiptaro-amerikanët nuk pushuan kurrë se punuari për këto marrëdhënie diplomatike. Ata u përpoqën tërë jetën e tyre për të angazhuar Shtetet e Bashkuara për bashkëpunim me kombin shqiptar.
Organizuan protesta, demonstrata, takime informuese, takime lobuese etj…
Fatkeqësisht, disa prej këtyre atdhetarëve shqiptarë, akoma edhe sot në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA dhe 30-vjet pas rivendosjes së këtyre lidhjeve, ata ende konsiderohen si armiq e tradhtarë në Atdheun e tyre të origjinës, vetëm e vetëm, se kundërshtonin regjimin e Enver Hoxhës.

Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar, historikisht, se është ndër ambasadorët më të mirë që mund të ketë pasur dhe ka kombi shqiptar gjatë dekadave.
Le të kujtojmë në këtë 100-vjetor se në mungesë të marrëdhënieve normale diplomatike shqiptaro-amerikane gjatë komunizmit, mërgata shqiptaro-amerikane, me dinjitet dhe plotë atdhedashuri, ka mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo në trojet e tyre në Ballkan, duke luajtur rolin jozyrtar të ambasadës dhe të ambasadorit të kombit shqiptar në Washington!

Marrëdhënie diplomatike 100-vjeçare nuk janë pronë as meritë e vetme e ndonjë kryeministri a presidenti, apo ambasadori cilido të jetë ai!
Ato janë lidhje historike në interes të përbashkët të dy kombeve tona!
Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane janë të shenjta, në interes madhor të çështjeve kombëtare që nuk duhet të lejohen kurrë të jenë subjekt abuzimesh, manipulimesh as përfitimesh të përkohshme personale ose partiake nga autokratë të caktuar ose individë të papërgjegjshëm, nga cilado palë qofshin!
Garanci e zhvillimit të këtyre marrëdhënieve dhe jetëgjatësisë së tyre është mërgata jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një rol të veçantë kishin dhe kanë edhe mediat e mërgatës tonë në SHBA, që nga gazeta “Dielli” e deri të “Illyria”, radiot e televizionet e tyre, dhe mbi të gjitha “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe, që ishte zë i shpresës dhe i qëndresës për kombin tonë.
Mërgata jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u organizua që në fillimet e saj në “Vatër”, pastaj në shumë organizata të ndryshme politike, kulturore dhe patriotike, në Lobin Shqiptaro-Amerikan të drejtuar nga Jozef Dioguardi, Këshillin Shqiptaro-Amerikan, si dhe me punë të palodhur personale të shumë veprimtarve të çeshtjës sonë kombëtare.
Mërgata jonë i kishte dhe i ka, sidomos 30-vitet e fundit, veprimtarët e vetë pranë shtabeve të kandidatëve për President, Senator, Kongresmenn e Guvernator të Partisë Republikane dhe asaj Demokrate. Me mençuri të pozicionuar në menyrë të tillë, qe cilido të fiton, shqiptarët të jenë aty dhe afër tyre.

Viteve të fundit, mërgata jonë ka të zgjedhur në nivele të ndryshme tê institucioneve shtetërore amerikane, sidomos në ato lokale dhe me pretendime eshe për në nivelet mê të larta legjislative.
Gjithashtu ka shumë tê emruar në pozicione ekzekutive, polici, administratë lokale dhe deri në Pentagon.

Mërgata jonë ka ditur dhe din se si është më së miri ti shërbehet kombit.
Qeveria e Shqipërisë edhe ajo e Kosovës duhet të reflektojnë sa më parë në raport me mërgatën tonë, sidomos mërgatën tonë në SHBA. Nesër mund të jetë tepër vonë…
Dhe në fund fare, pa shqiptarët e Amerikës dhe angazhimin tyre për vizitën e senatorit Bob Dole në krye të një delegacioni të përbërë nga kongresmenë dhe senatorë në vitin 1989 në Kosovë, vizitë e cila u bë e mundur kryesisht nga mërgata jonë dhe veçanërisht zoti Xhim Xhema dhe personalitete të tjera të mërgatës, si dhe vizita e Presidentit Xhorxh W. Bush në Tiranë, për të lajmëruar pavarësinë e Kosovës dhe për të vulosur miqësinë e përhershme shqiptaro-amerikane, ndryshe do të ishin sot fatet e kombit tonë.

Autor, Flamur Gashi

Autori është anëtar i Bordit Drejtues në Council of Albanian Ambassadors si dhe drejtor i Bordit të Institutit për Zhvillim të Qëndrueshëm Demokratik, ish këshilltarë në Presidencën e Shqipërisë e ish ambasador i Shqipërisë në Bosnjë e Hercegovinë.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci