Të fundit

Asociacioni merret me komuna e jo me të drejtat kolektive të një komuniteti

Shkruan: Blerim Shala

Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për Ballkanin Perëndimor, gjatë vizitës së tij treditore në Kosovë, u takua edhe me Goran Rakiqin, Kryetarin e ’Listës Serbe’ dhe Ministrin për komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës.

Rakiq në këtë takim, pos të tjerash, nënvizoi që ’themelimi i Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është çështja më themelore për serbët e Kosovës…’.

Poashtu, ai do t’ia bënte me dije EUSR Lajçak-ut që pozita e serbëve në Kosovë përmirësohet vetëm me krijimin e Asociacionit/ Bashkësisë.

Qëndrimet e Kryetarit të ’Listës Serbe’, në këtë kontekst nuk paraqesin gjë të re tash e sa vjet.

Ka ndodhur, madje, që Rakiq t’i vëjë raportet e drejtpërdrejta të varëshmërisë së mbijetesës (kolektive), të komunitetit serb në Kosovë nga formimi i Asociacionit/ Bashkësisë.

Ta merr mendja që aktualisht, komuniteti serb nuk ka kurfarë të drejtash politike, kushtetuese, ligjore në Kosovë, pra, që është një zbrazëti e tërë në këtë aspekt, e cila do të mbyllet vetëm përmes krijimit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Të drejtat kolektive të komunitetit serb në Kosovë janë kodifikuar një herë e mirë me Propozimin e Presidentit Ahtisaari për zgjidhjen e statusit të Kosovës (2007), teksa edhe më parë, në masë të madhe janë adresuar në Dokumentin e Konferencës së Rambouilletit (1999), dhe atë të Kornizës Kushtetuese të Kosovës (2001).

Këto të drejta njohin dy nivele: Atë qendror, dhe tjetrin lokal.

Në nivelin qendror, komuniteti serb ka të garantuar dhjetë mandate parlamentare dhe së paku një ministri në Qeverinë e Kosovës.

Në nivelin lokal, janë gjithsejt dhjetë komuna me shumicë serbe, të cilat udhëhiqen nga një politikan serb i Kosovës. Për më shumë, Kosova ka pranuar, në Procesin e Vienës (2006, 2007), një decentralizim asimetrik në favor të komunave me shumicë serbe, të cilat kanë fituar të drejtën për arsimin e lartë universitar dhe për shëndetësinë terciare.

Dihet që Kushtetuta e Kosovës nuk mund të amandamentohet/ ndryshohet, pa atë shumicën e dyfishtë të deputetëve, e cila nënkupton që së paku 80 deputetë të Kuvendit (të përbërë prej 120 deputetëve), të jenë mbështetës së këtyre ndryshimeve, e në mesin e tyre duhet të jenë edhe 14 deputetë që përfaqësojnë komunitetet.

Në mesin e tyre pra, duhen të jenë së paku 4 deputetë të komunitetit serb.

Kur dihet që ’Lista Serbe’ i ka të gjithë dhjetë deputetët në Kuvend (që përfaqësojnë komunitetin serb), atëherë del që nuk mund të ketë amandamentim të Kushtetutës së Kosovës pa vullnetin e këtij entiteti politik.

Komuniteti serb në Kosovë pra, e ka fatin politik në duartë e veta, sepse vet vendosë për poltikanët që do ta përfaqësojnë në nivelin lokal dhe atë qendror, (kështu sigurohet legjitimiteti i tyre), teksa ata kanë masat mbrojtëse legale në dy nivele (përmes aspektit të legalitetit), për të siguruar respektimin e të drejtave të tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Kornizën legale të saj.

Nga ky pikëshikim, duket që ka një keqkuptim të madh të vet natyrës politike të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, nga ana e politikanëve kryesorë të ’Listës Serbe’, gjithsesi të influencuar nga vet lidershipi i Serbisë.

Asociacioni kurrë nuk është paraparë, as në Propozimin e Presidentit Ahtisaari, dhe as në Marrëveshjen e Parë në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë (2013), të jetë një entitet politik që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, duke ndryshuar kështu, në mënyrë automatike strukturën e organizimit të pushtetit të Kosovës, me një nivel të tretë të qeverisjes.

Asociacioni nuk ka të bëjë, nuk lidhet, nuk përkon me të drejtat kolektive të komunitetit serb në Kosovë. Këto të drejta janë adresuar, siç u përmend më lartë, me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës në dy nivelet e pushtetit të Kosovës.

Asociacioni, në çdo variant të mundshëm, ka për synim intensifikimin e bashkëpunimit në mes të komunave, pa ia marrë atë mandatin dhe kompetencat themelore që kanë komunat, dhe të cilat nuk mund t’i barten askujt.

Asociacioni pra, ka të bëjë me komunat, dhe jo me të drejtat kolektive të një komuniteti, në këtë rast të komunitetit serb.

I gjithë debati për Asociacionin, nga ky pikëshikim, është i kotë, sepse ai asnjëherë nuk do të merret me natyrën e të drejtave të komunitetit serb.

Këto të drejta janë përcaktuar në mënyrë të qartë dhe kategorike në Kushtetutën e Kosovës dhe në Kornizën legale të Kosovës.

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci