Të fundit

Ortaku i Bekim Jasharit fiton edhe një tender për kompleksin në Prekaz

Shteti ka përzgjedhur kompaninë e njëjtë që kishte përfituar 15 tenderë në të kaluarën për punime në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, për të kryer intervenime emergjente në disa sektorë të shtëpisë së rezistencës në Prekaz. Pronari i kësaj firme ndërtimore është i afërt me Bekim Jasharin, ish-kryetarin e Komunës së Skenderajt. 

Ejona Veselaj

Shteti ka përzgjedhur sërish kompaninë “N.N. 100% Design Sh.p.k” për të kryer një ndërhyrje emergjente në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Kompania private -e cila bazuar në një raport të Agjencisë për Menaxhimin e Memorialeve më 2018- kishte përfituar 14 tenderë nga organizatat qeveritare për kryerjen e punimeve në kompleksin në Prekaz, është shpallur fituese e një tenderi të vlefshëm 165 mijë e 58 euro.

Kontratën e ka iniciuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ajo është nënshkruar sot mes palëve.

Sipas Dosjes së Tenderit, “N.N. 100% Design Sh.p.k” është përzgjedhur fituese në një tender me procedurë të negociuar dhe parashihet të kryejë intervenime emergjente në shtëpinë e Sadik Jasharit, e cila ndodhet në zonën e Kompleksit Memorial në Prekaz.

“Ndërhyrjet emergjente- masat e sigurisë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në shtëpinë e Sadik Jasharit, në bunker në pikën vrojtuese si dhe murin rrethues të shtëpisë së Smajl Jasharit në Prekaz”, thuhet në përshkrimin e punimeve që janë kontraktuar nga MKRS-ja.

Për këtë tender, Ministria e Kulturës kishte negociuar me dy kompani private. Përpos kompanisë “N.N. 100% Design Sh.p.k”, kishte negociuar edhe me kompaninë “TERMOMONTIMI”. Megjithatë, oferta e kësaj kompania është eliminuar për shkak të çmimit, por edhe arsyeve të tjera teknike.

Kompania “TERMOMONTIMI” kishte ofertuar me çmim në vlerë prej 168 mijë euro, rreth tre mijë euro më të shtrenjtë sesa çmimi i ofertës tjetër të “N.N. 100% Design Sh.p.k”.

“Ju jeni OE i përgjegjshëm nga ana administrative ndera nga ana tekniko-profesionale keni vërejtje: 1. Kriteri: 3. Staf teknik mbështetës; minimum një mjeshtër për shtruarje të pllakave metalike me përvojë 3-vjeçare”, thuhet në letrën mbi njoftimin e Ministrisë së Kulturës dërguar kompanisë së eliminuar nga gara.

“N.N. 100% Design Sh.p.k” është një kompani me bazë në Prishtinë. Pronar i kompanisë është Avni Lushtaku, një person i afërt me Bekim Jasharin, ish-kryetarin e Komunës së Skenderajt.

Avni Lushtaku, përmes kompanisë “N.N. 100% Design Sh.p.k”, është ortak me Bekim Jasharin në firmën ndërtimore “Premium Group Kosova Sh.p.k”.

Avni Lushtaku posedon 12,5 për qind të aksioneve në kompaninë ku ndodhet në ortakëri me Bekim Jasharin. Ish-kreu i Komunës së Skenderajt është aksionari kryesor në “Premium Group Kosova Sh.p.k”, tregojnë të dhënat e publikuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

Deri në fund të vitit 2018, një raport zyrtar shtetëror tregon se kompania “N.N. 100% Design Sh.p.k” kishte përfituar miliona euro nga tenderët publikë për kryerjen e punimeve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” përgjatë viteve 2009-2018.

Raporti të cilin Agjencia për Menaxhimin e Memorialeve ia kishte dorëzuar më 2018 Komitetit Ndërministror për Memoriale të formuar asokohe nga Qeveria Haradinaj, tregonte se kompania “N.N. 100% Design Sh.p.k” kishte përfituar 14 tenderë për punime në kompleks.

Numri i tenderëve të përfituar nga kjo kompani për punimet në shtëpitë e rezistencës në Prekaz ishte rritur në fund të vitit të kaluar, kur kjo kompani u shpall fituese në një tender tjetër të MKRS-së për punimet fillestare për restaurimin e objekteve brenda Kompleksit Memorial “Ademi Jashari”.

Kompleksi Ndërministor për Memorialet i themeluar nga Qeveria Haradinaj në vitin 2017, kishte për qëllim realizimin e intervenimeve emergjente për restaurimin dhe mirëmbajtjen e Kompleksit “Adem Jashari” në Prekaz, i cili ndodhej në rrezik të shembjes. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci