Naim Ramizi, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “Paradoks me Vehbi Kajtazin”.
Gjatë intervistës ai ka treguar për protesën e dhunshme në vitin 2007, ku u përdorën edhe armë, dhe ku u plagosën shumë persona nga UNMIK-u.
Ai ka thënë se pasi e mbaroi fjalimin Albin Kurti filloi të zbresë poshtë, dhe filluam t’i largojmë barrikadat dhe në këtë moment ka rënë gaz lotsjellës.
Ramizi ka treguar se nga gazi u lënduan shumë persona civil si dhe nga kordoni i policisë pasi nuk kishin pajisje për t’u mbrojtur nga gazi.
“Kemi fillu me e shpërthy kordonin e policisë nga ana e majtë që shkon nga Qeveria dhe atëherë kanë fillu shkrepjet e plumbave që nuk kemi ditur se çka janë, vetëm kemi pa njerëz duke ra”, është shprehur ai.
Tutje, ish-aktivisti ka treguar se e kishte në dorë një qepë për ta ndihmuar me frymëmarrjen që po i vështirësohej nga gazi lotsjellës, dhe në atë moment është goditur nga dy plumba, një në dorë dhe një në krah.
Në rrëfimin e tij, ai është shprehur se në atë protestë janë lënduar 83 persona, duke shtuar që nuk ka qenë protestë e dhunshme prej të dy anëve, pasi nuk është gjuajtuar asnjë gur në drejtim të kordonit të policisë.
“Kanë pas qëllim me na vra se nuk kanë bë gjuajtje parabol, as në tokë por kanë marrë shenjë kryesisht në pjesën e epërme të trupit, shumica e të plagosurve janë në këtë kornizë”, ka shtuar ai.
Ramizi është shprehur se policia e UNMIK-ut ishin shfrenuar dhe se rumunët nuk është se kanë qenë miqësor, por ka pasur edhe policë ukrainas, të dy shteteve që as sot nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.