Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se aktgjykimet e kësaj jave janë ndër vendimet më të rëndësishme që do të lënë gjurmë të mëdha në Kosovë, duke veçuar dy raste që kanë tronditur opinionin publik.
Duke folur në emisionin “VV Show”, Kajtazi tha se rasti i vrasjes së Liridona Ademajt ishte një nga ngjarjet më të rënda dhe më tronditëse për shoqërinë kosovare.
Sipas tij, bashkëshorti i saj kishte organizuar një plan të tmerrshëm së bashku me dy persona të tjerë, duke paguar për vrasjen e bashkëshortes dhe duke tentuar të fshehë krimin dhe gjurmët. Kajtazi vlerësoi se drejtësia në këtë rast dha vendimin e duhur.
Ai përmendi edhe rastin e Banjskës, për të cilin tha se është diskutuar dhe shkruar shumë. Sipas deklaratës së tij, tre personat e arrestuar nga Policia e Kosovës janë dënuar në shkallën e parë të gjykimit, ku dy prej tyre me burgim të përjetshëm, ndërsa i treti me 30 vjet burg.
Kajtazi theksoi se këto dy aktgjykime përfaqësojnë momente të rëndësishme për sistemin e drejtësisë dhe për vetë shtetin e Kosovës.
