Kryetari i Aleancës dhe kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit, Ardian Gjini, ka prezantuar një nga zotimet kryesore të programit të tij, duke theksuar se synimi i tij është rritja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla deri në 100 mijë euro.
Gjini ka thënë se politika duhet të jetë e lidhur me veprimet konkrete pas marrjes së mandatit dhe jo vetëm me garën zgjedhore, duke theksuar se çdo kandidat duhet të ketë plan të qartë qeverisës.
Sipas tij, sistemi aktual tatimor në Kosovë po i ngarkon në mënyrë të padrejtë bizneset familjare dhe të vogla, të cilat shpesh përfundojnë duke punuar pa përfitim real për shkak të barrës së TVSH-së dhe tatimeve të tjera.
“Unë e du demokracinë. Unë jam rrit në një sistem tjetër, mu ma ka ndërru jetën edhe mendjen demokracia. Prej këtij fakti unë mendoj që politikanët duhet me garu për me bo diçka pasi të fitojnë. Duhet me pas një ide çka do me bo ditën që të besohet detyra. E di që një pjesë e madhe e politikanëve krejt energjinë dhe mundin e shpenzojnë me i fitu zgjedhjett që është okej. Ama një pjesë e vogel e dijnë çka dojnë me bo masnej. E në demokraci duhet me ekzistu qekjo ndërlidhje. Po synojmë me i fitu zgjehdjet, me marr besimin e popullit, por me i tregu çka me bo masnej dhe me tregu pse, me dhanë esencën çka nënkupton qajo. Është model i jemi i punës. Te TVSH, Kosova i ka disa ligje disa fyta të ngushtë që atë potencial që e kemi, edhe atë jemi duke e mbyt”, ka thënë Gjini në “VV Show”.
Ai ka marrë shembull një biznes të vogël që qarkullon rreth 100 euro në ditë, i cili në fund të vitit kalon pragun aktual prej 30 mijë eurosh dhe detyrohet të paguajë TVSH 18 për qind, duke shtuar se në shumë raste kjo e bën aktivitetin ekonomik thuajse pa fitim.
“Nëse 30 mijë euro është pragu, dmth që qarkullimi deri 30 mijë euro nuk paguhet TVSH-ja, mbi 30 mijë euro paguhet që është 18 për qind, supozohet që një biznes i vogël familjar, qarkullon 100 euro në ditë që sot nuk janë shhumë, ai mbërrin 36,500 euro në vit, duhet me pagu 18 për qind, 36,500 nëse 20 për qind e ka marzhin e fitimit, që shumë pak kush e ka, i bie diku 7 mijë euro fitim. 18 për qind është diku 6 mijë e diçka euro TVSH, edhe 10 për qind tatimi në atë 7 mijë e diçka. Praktikisht ai me letra punon pa fitim. Zero zero. Çka duhet me bo ai i shkretë, duhet me fsheh fitimin, me pagu kontabilist, e nuk kanë mundësi me marr kredi, nuk ka mundësi me rrit biznesin, nuk ka me punësu edhe një me letra. Nuk e le me ecë përpara. Kosova e ka 30 mijë. Shqipëria e ka 103 mijë. Kroacia 60 mijë, BE e lejon 100 mijë. Sidoqoftë qëllimi është që 98-100 mijë biznese të vogla që janë familjare me pas mundësi me u rrit, me u zhvillu”, ka theksuar Gjini.
Sipas tij, rritja e pragut do t’u jepte hapësirë rreth 98-100 mijë bizneseve familjare në vend që të rriten e të zhvillohen pa u penguar nga barrat e tepërta fiskale.
