Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili në vitin 2008 ishte ndër kundërshtarët më të zëshëm të EULEX-it, sot mban raporte institucionale me misionin evropian që dikur e konsideronte të dëmshëm për Kosovën.
Si lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti kishte organizuar protesta kundër vendosjes së EULEX-it dhe kreut të atëhershëm të misionit, Yves de Kermabon. Në një aksion të mbajtur në Prishtinë, aktivistët e Vetëvendosjes kishin vendosur posterë të Kermabonit, ndërsa Kurti kishte deklaruar se ai dhe EULEX-i do të funksiononin mbi ligjin dhe mbi institucionet e zgjedhura të Kosovës.

“Do të jetë EULEX-i ai që do ta bllokojë këtë vend, duke na etiketuar si krizë edhe duke na ngujuar në kurthin e stabilitetit”, deklaronte Kurti në vitin 2008.
Ai kishte kundërshtuar fuqishëm kompetencat e misionit në polici, drejtësi dhe dogana, duke thënë se Kosova kishte nevojë për profesorë, ekspertë ekonomikë dhe mjekë nga Evropa, e jo për “policë e gjykatës”.
Kundërshtimi i Vetëvendosjes ndaj EULEX-it kishte vazhduar edhe më vonë. Në vitin 2009, Policia e Kosovës njoftoi se gjatë një aksioni të Lëvizjes Vetëvendosje në parkingun qendror të Prishtinës, prapa Pallatit të Rinisë, ishin dëmtuar 28 vetura të EULEX-it. Me atë rast u arrestuan 21 persona.

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet, qeveritë e udhëhequra nga Kurti kanë bashkëpunuar me EULEX-in në kuadër të marrëdhënieve institucionale, ndërsa misioni ka vazhduar aktivitetin e tij në Kosovë.

