Daut Haradinaj ka bërë të ditur se do ta lirojë pozitën e deputetit, duke përmbushur premtimin e dhënë më herët për t’u lënë hapësirë kolegëve të tij, ndërsa ka theksuar se angazhimi i tij për Kosovën do të vazhdojë edhe jashtë Kuvendit.
Përmes një reagimi publik, Haradinaj u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve që i kanë besuar dhe e kanë përzgjedhur si përfaqësues të tyre, duke nënvizuar se zëri i tij nuk do të kufizohet vetëm në foltoren e Kuvendit.
“Zëri im do të jetë i pranishëm kudo ku kërkohet angazhim për Kosovën, për interesin e qytetarëve dhe për të ardhmen që e duam të gjithë”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka bërë të ditur se vendimin për lirimin e mandatit e merr me bindjen se përgjegjësia dhe kontributi ndaj vendit nuk maten vetëm me një pozitë, duke shtuar se do të vazhdojë të jetë aktiv në mbështetje të vlerave kombëtare, historisë dhe çdo kauze që i shërben Kosovës.
Ai ka theksuar se për të, Kosova mbetet mbi çdo gjë.
“Për mua, Kosova ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë mbi të gjitha. Faleminderit për besimin”, ka përfunduar Daut Haradinaj.
