Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar me një mesazh të fortë politik, duke theksuar se nuk do të lejojë “eksperimente” me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të ardhmen e saj.
Përmes një postimi publik, Hoti tha se rezultati zgjedhor ka dhënë një mesazh të qartë se LDK-ja duhet të rikthehet te elektorati i saj tradicional, te vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe te vizioni që, sipas tij, e ka bërë këtë parti një faktor të rëndësishëm politik në vend.
Ai theksoi se duhet luftuar çdo mentalitet që dobëson aleancat historike të LDK-së dhe cenon rrugën euroatlantike të Kosovës.
“LDK nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të jetë peng i interesave personale. LDK është më e madhe se secili individ, është një mision politik dhe historik”, ka shkruar Hoti.
Deklarata e tij vjen në një periudhë kur brenda skenës politike po zhvillohen diskutime për drejtimin dhe të ardhmen e LDK-së pas zhvillimeve të fundit politike.
