Numri i fëmijëve të referuar për shërbime të shëndetit mendor në Angli është rritur për 10% brenda një viti, duke tejkaluar shifrën prej një milioni, sipas një raporti të ri. Të dhënat për periudhën 2024-2025 janë pothuajse dyfishi i numrit të regjistruar në vitet 2018-2019.
Ankthi është identifikuar si arsyeja më e shpeshtë, duke përbërë 16% të të gjitha referimeve. Ndërkohë, rastet e dyshuara për autizëm janë rritur për gati 50% brenda një viti, duke arritur në mbi 96,000. Gjendje të tjera neurozhvillimore, si ADHD dhe sindroma Tourette, gjithashtu shënuan rritje prej gati një çereku.
Në raportin e saj vjetor, Komisionerja për Fëmijët, Dame Rachel de Souza, paralajmëroi se një numër në rritje i fëmijëve përballet me pritje të gjata për mbështetje. Mbi një e treta e fëmijëve ishin ende në pritje për trajtim, ndërsa më shumë se 60,000 prej tyre kanë pritur mbi dy vjet për ndihmë, një rritje kjo nga 44,000 fëmijë sa ishin vitin e kaluar.
Dame Rachel i cilësoi shifrat si "të ashpra", duke shtuar se kërkesa po tejkalon kapacitetin dhe financimin e sistemit. Ajo bëri thirrje për një ndryshim të qasjes, me fokus më të madh në shërbime të integruara midis shëndetësisë, arsimit dhe kujdesit social, për të siguruar që fëmijët të marrin ndihmën e nevojshme në shkolla dhe komunitet.
Organizata YoungMinds shprehu shqetësim për barrierat shtesë dhe kohën e pritjes, veçanërisht për fëmijët me prejardhje etnike minoritare. Të dhënat tregojnë se fëmijët me ngjyrë dhe ata aziatikë janë të nën-përfaqësuar në referime, por kur referohen, ata kanë më shumë gjasa të jenë në gjendje krize.
Një në katër fëmijë me ngjyrë të referuar në shërbimet e shëndetit mendor ishin në krizë, krahasuar me 16% të fëmijëve aziatikë dhe 7.4% të fëmijëve të bardhë. Për më tepër, fëmijët nga 10% e zonave më të varfra në Angli përbënin 15% të referimeve, krahasuar me 7.6% nga zonat më pak të privuara.
Burimi: bbc.co.uk
