Pakistani ka ndërmarrë sulme ajrore dhe ka dërguar trupa tokësore në provincat afgane përgjatë kufirit perëndimor të dielën. Sipas zyrtarëve, këto veprime kanë shkaktuar dhjetëra viktima civile. Qeveria talebane në Afganistan e ka dënuar ashpër këtë veprim, duke e cilësuar si një “akt frikacak” dhe “krim e mizori”.
Zyrtarët talebanë i kanë deklaruar BBC-së se të paktën 100 persona janë vrarë ose plagosur si pasojë e këtyre sulmeve. Sipas tyre, goditjet kanë prekur shtëpi civile, ndërsa përqendrimi më i madh i viktimave është regjistruar në fshatin Mandikhel, në provincën Paktika.
Nga ana tjetër, ministri i Informacionit i Pakistanit, Attaullah Tarar, ka deklaruar se 29 militantë janë vrarë gjatë operacioneve të synuara ndaj strehimoreve të tyre në provincat Paktia, Paktika dhe Kunar. Tarar theksoi se këto sulme janë ndërmarrë si përgjigje ndaj “sulmeve të fundit terroriste ndaj njerëzve të pafajshëm”.
Pakistani prej kohësh e akuzon Afganistanin për strehimin e terroristëve që kryejnë sulme në territorin e tij, një pretendim që qeveria talebane e mohon. Nga ana tjetër, Kabuli ka akuzuar Islamabadin për sulme të paprovokuara që kanë shkaktuar viktima civile. Një marrëveshje armëpushimi e arritur tetorin e kaluar pas përplasjeve të dhunshme ka dështuar, duke çuar në vazhdimin e tensioneve.
Sulmet e së dielës pasuan një incident të ndodhur një ditë më parë në Karaçi, ku tre pjesëtarë të forcës paraushtarake Sindh Rangers u vranë në selinë e tyre. Grupi Jamaat-ul-Ahrar, një fraksion i TTP-së, mori përgjegjësinë për atë sulm. Në muajt e fundit, përplasjet e herëpashershme kufitare kanë shkaktuar dhjetëra të vdekur në të dyja anët e kufirit.
BBC nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur shifrat e viktimave të raportuara nga qeveria pakistaneze dhe ajo talebane. Konfliktet e vazhdueshme në këtë rajon mbeten një çështje e ndjeshme, me përplasje të shënuara edhe gjatë muajve shkurt, mars dhe qershor të këtij viti.
Burimi: bbc.co.uk
