Bashkimi Evropian ka mirëpritur emërimin e kryeprokurorit të Shtetit.
Në një reagim në faqen e tyre zyrtare në Facebook, Zyra e BE-së në Kosovë ka shkruar se përpara kryeprokurorit Zejnullah Gashi, është zbatimi i një mandati të përqendruar në sigurimin e integritetit dhe llogaridhënies prokuroriale dhe luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
“BE-ja në Kosovë mirëpret emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit pas më shumë se katër vitesh marrëveshjesh për detyrën e prokurorit. Përpara zotit Gashi është zbatimi i një mandati të përqendruar në sigurimin e integritetit dhe llogaridhënies prokuroriale dhe luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar”, thuhet në reagimin e BE-së.
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pranuar sot zyrtarisht detyrën nga ushtruesi i detyrës Agron Qalaj, nga ku u zotua të punojë për forcim të sundimit të ligjit.
Në tetor të 2023-s, presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, nuk e pati dekretuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për Kryeprokuror të Shtetit me arsyetimin se janë shënuar dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes.
Që nga ajo kohë, institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit është udhëhequr me ushtrues detyre.
