Të fundit

Irani ekzekuton edhe dy burra në lidhje me protestat e janarit

Mediat shtetërore iraniane raportojnë se Abolfazl Sepahi Badjani dhe Amirhossein Safari Hosseinabadi janë ekzekutuar, për shkak të rolit të tyre të pretenduar në protestat e janarit 2026, në lagjen Malek Shahr të Isfahanit.

Autoritetet iraniane i akuzuan ata se gjatë protestave të 8 janarit, kanë vrarë katër policë në sheshin Alikhani, pasi fillimisht i kanë plagosur dhe më pas i kanë djegur.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur se si është zhvilluar procesi gjyqësor, nëse të akuzuarit kanë pasur qasje tek avokatët dhe në çfarë rrethanash janë marrë rrëfimet e tyre.

Video të publikuara në rrjetet sociale duket se tregojnë qindra njerëz të mbledhur pranë vendit të ekzekutimit, për të protestuar kundër varjeve, nën masa të rrepta sigurie.

Në disa video dëgjohen protestuesit duke brohoritur “Pa nder! Pa nder!”, ndërsa në sfond dëgjohet edhe thirrja e mëngjesit për namaz.

Forcat e sigurisë duken duke lëvizur mes turmës me motoçikleta.

Përdorues të rrjeteve sociale raportojnë, gjithashtu, për përleshje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, si dhe për ndërprerje të internetit në Isfahan.

As këto raportime, Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.

Ekzekutimet u kryen në orët e para të 28 korrikut, vetëm pak orë pasi Mai Sato, raportuese e posaçme e OKB-së për të drejtat e njeriut në Iran, njoftoi se një grup ekspertësh i OKB-së i ka bërë thirrje Teheranit që ta ndalë menjëherë ekzekutimin e 10 të pandehurve të tjerë në të njëjtin rast në Isfahan.

Dymbëdhjetë protestues, të cilët ishin në fund të adoleshencës ose në fillim të të njëzetave kur u arrestuan, u dënuan me vdekje në një gjykim të përbashkët, të zhvilluar me dyer të mbyllura.

Dy të dënuar të tjerë, Gol Mohammad Mohammadi dhe Erfan Esfandiari, u ekzekutuan më 19 korrik.

Ekspertët e OKB-së kanë thënë se procesi gjyqësor nuk i ka përmbushur standardet për një gjykim të drejtë.

Sipas tyre, vendimet e fajësisë u mbështetën në rrëfime të detyruara, të transmetuara nga televizioni shtetëror, dhe nuk u vërtetua qartë përgjegjësia individuale e secilit të pandehur.

Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA) dhe Shoqata Iraniane për të Drejtat e Njeriut njoftuan se të burgosurit në Njësinë 2 të burgut Qezel Hesar, në Karaj, vazhduan më 27 korrik grevën e urisë dhe protestën ulur për të pesëmbëdhjetën ditë radhazi, në shenjë kundërshtimi ndaj ekzekutimeve dhe transferimit të të burgosurve në qeli të izolimit.

Sipas këtyre organizatave, qindra të burgosur të dënuar me vdekje refuzojnë ushqimin e burgut që nga 13 korriku.

Autoritetet gjyqësore dhe administrata e burgjeve në Iran nuk i kanë komentuar këto raportime./REL/

Video nga Paradoks

VV SHOW - A ma shumë ka gjasa që LDK të bëjë kualicion me Vetvendosjen, apo të rrëzohet Abdixhiku

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci