Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit, ka thënë se pajtohet me konstatimet e shoqërisë civile lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, ku është rekomanduar që procesi të anulohet dhe të shpallet konkurs i ri.
“Besoj që ky është një prej rasteve të shumta e të shpeshta kur unë pajtohem me shoqërinë civile. Konstatimet e tyre i lexova dhe i ndoqa me shumë vëmendje edhe duke filluar prej faktit që tash për të kuptuar logjikën e procesit, duhet të nisemi prej premisës që vetë mënyra si është i konceptuar ky proces, mekanizmin kryesor që e ka të brendashkruar, e ka për t’u munduar ta shmang ndonjë subjektivizëm qoftë edhe kolegiale në procesin e vlerësimit. Ai mekanizmi kryesor është që edhe mënyra si po poentohet Kryeprokurori i ka disa kufizime prej atij mekanizmi, e këto kufizime janë tejkaluar sipas vlerësimeve. Unë po pajtohem plotësisht me ato vlerësime, edhe kur po pajtohem, aspak nuk po mendoj që jam duke ndërhyrë në drejtësi, sepse po flas për proces dhe jo për personin, sepse edhe unë i kam disa obligime kushtetuese që duhet të mbroj integritetin e atij procesi”, ka thënë Konjufca në emisionin “Tempus” në KTV.
Sipas tij, relacionet e Kuvendit me gjyqësorin janë të qarta dhe nëse shoqëria civile ka vlerësuar se procesit i ka humbur kredibiliteti, pajtohet me ato konstatime.
“Sa i përket gjyqësorit dhe relacionet e Parlamentit janë të qarta, sa i përket lidhshmërisë që funksionon prej mekanizmave që i sjellë përmes përfaqësuesve të këtij, përmes vullnetit të popullit që është një proces elektoral aty, Komisionit për Legjislacion, i cili i mbikëqyr këto institucione dhe angazhohet që këto procese të jenë të ndershme edhe sipas ligjit, se në fund të fundit Komisioni për Legjislacion dhe Parlamenti lidhet me ta në një dimension, ata funksionojnë sipas ligjit, e ligji është miratuar në Parlament. Nëse ai dimension është brendashkruar brenda ligjit dhe ka kaluar në Kuvend dhe janë tejkaluar ato dimensione të cilat shoqëria civile ka vlerësuar që janë tejkaluar dhe procesit i ka humbur kredibiliteti si duhet të jetë, edhe në mënyrë shumë të guximshme i ka shpjeguar ato, ne e kemi njëfarë detyre për me e mbrojt kredibilitetin kur ai mendojmë që cenohet”, deklaroi ai.
Në fund, ai ripërsëriti se kur thotë që pajtohet me shoqërinë civile, nuk mendon që është duke ndërhyrë në Këshillin Prokurorial.
