Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nga sot do të jetë në llupën e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Ky institucion, do të verifikojë pasurinë e Berishajt, i cili tash së fundmi është implikuar në një skandal financiar në Slloveni.
Lajmin për Paparacin e konfirmoi drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj, i cili tha se kjo çështje do të trajtohet sipas ligjit dhe brenda afateve ligjore.
“Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon që ka pranuar këtë informatë në fund të javës së kaluar dhe e njëjta do të trajtohet sipas ligjit dhe brenda afateve ligjore. Rrjedhimisht, AKK ka iniciuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj”, tha ai për mediumin.
Mediumi slloven Planet TV raportoi të enjten e kaluar për një skandal të madh financiar në të cilin dyshohet së është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
E premtja, pasoi me deklarata të shumta që kërkonin dorëheqjen e ambasadorit dhe me të atilla që e mbronin atë. Vetë ambasadori Martin Berishaj ka mohuar akuzat e mediumit slloven.
Ishin pikërisht opozita si dhe analistë e gazetarë ata që kërkuan dorëheqjen e ambasadorit Berishaj, por në anën tjetër krerët e vendit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani mbronin ambasadorin Martin Berishaj.
Katër ditë më parë, Paparaci raportoi se ambasadori i Kosovës në Zagreb, nuk e ka deklaruar pronësinë e tij mbi tri kompani private, në deklarimin e obligueshëm të pasurisë së tij pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion.
Në formularin e pasurisë pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion (AKK), ambasadori Berishaj e ka fshehur edhe pronësinë e tij mbi “MB Consulting”, kompaninë private në Mal të Zi, e cila është përfshirë në transfertat e dyshimta të parave tek një politikan slloven.
Në deklarimin e pasurisë në AKK, ambasadori Berishaj ka fshehur aksionet të cilat i posedon edhe në dy kompanitë në Kosovë: Myloja LLC dhe Zaslon Kosova.
Megjithatë, në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, shefi i Misionit Diplomatik të Kosovës në Zagreb ka deklaruar një shtëpi, një banesë dhe një parcelë tokë në emër të tij. Po ashtu, ka deklaruar një veturë të vlefshme 15 mijë euro.

