Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë pjesëmarrjes në stërvitjen e Ushtrisë Serbe “Mburoja 2022” në Batajnicë ka folur lidhur me sanksionet që i kërkohen që të ia vendosë Rusisë.
Vuçiq sipas mediumit të afërm me të “TV Pink”, u shpreh se nuk është e vërtetë që ka biseduar me senatorin Chris Murphy për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Sipas tij, politika serbe është një politikë zhvillimi ndaj është e pamundur të flasë për spekulime nëse dikush do të vendosë sanksione.
“Politika jonë duhet të jetë një politikë e përgjegjësisë që nuk është as njëra e as tjetra, një politikë e zhvillimit dhe përparimit të Serbisë, një politikë që do të shikojë interesat e vendit tonë. Duhet të shikojmë vendin tonë. Unë me të vërtetë nuk mund të flas për spekulime se kur dhe nëse dikush do të vendosë sanksione”.
“Zoti Murphy nuk tha që unë fola për këtë në lidhje me sanksionet, por mediat lokale raportuan se ishte sikur ne thjesht prisnim të shihnim se si do ta bënim. Biseduam për një temë krejt tjetër, besoj se do të merrni një deklaratë të tillë nga zyrtarët e ambasadës amerikane, në takim ishin mbi 20 persona. Do të doja të flisja më shumë për deklaratën e Putinit më 6 maj “, deklaroi ai.
