Presidenti rus Vladimir Putin mund t’i shpallë zyrtarisht luftë Ukrainës më 9 maj, gjë që do t’i mundësonte atij të mobilizojë plotësisht forcat rezervë ruse, ndërkohë që pushtimi vazhdon të ngadalësohet, besojnë zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë.
Dita e Fitores ose 9 maji është dita në të cilën Rusia feston fitoren ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore, kujton CNN.
Zyrtarët perëndimorë kanë besuar prej kohësh se Putini do të përdorë rëndësinë simbolike dhe vlerën propagandistike të asaj dite për të shpallur ose arritjet ushtarake në Ukrainë, një përshkallëzim të madh të armiqësive, ose të dyja, transmeton Paparaci.
Zyrtarët, shton CNN, besojnë gjithnjë e më shumë në skenarin që Putini do t’i shpallë luftë Ukrainës më 9 maj. Deri më tani ai ka këmbëngulur se konflikti i cili ka zgjatur më shumë se dy muaj është një “operacion ushtarak special”, që ndalon përdorimin e fjalëve si “pushtim” apo “luftë”.
Shpallja formale e luftës mund të forcojë potencialisht mbështetjen publike për pushtimin. Kjo, sipas ligjit rus, do të lejonte gjithashtu Putinin të mobilizojë forcat rezervë dhe të rekrutojë rekrutë, për të cilët zyrtarët thonë se Rusia ka shumë nevojë për shkak të mungesës në rritje të njerëzve.
Zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas vlerësojnë se të paktën 10.000 ushtarë rusë kanë vdekur në luftë deri më tani./Paparaci
