“Situata është shumë e ndërlikuar për ne dhe do të jetë edhe më e vështirë sepse Donika Gërvalla ka konfirmuar se nesër do të bëhet kërkesa për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Në 36 orët e ardhshme do të caktojmë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe do të fillojmë të reagojmë politikisht dhe të kundërshtojmë të gjitha këto”, ka thënë mbrëmë në Bruksel presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Duke iu drejtuar mediave pas një darke joformale të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Ballkanin Perëndimor Joseph Borrell, Vuçiq ka thënë se “ai ka thënë se qëllimi i Kosovës është shkelje e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes së Uashingtonit”, duke “harruar” se afati i kësaj marrëveshjeje ka skaduar në shtator të vitit të kaluar.
“Thonë se ne jemi shtet i pavarur dhe këtë e ka konfirmuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë qysh në vitin 2010 dhe se do të vazhdohet me këto iniciativa. Duke akuzuar Serbinë si krah i zgjatur i Rusisë dhe duke thënë “të pavërteta”, ata mendojnë se mund të përdorin situatën në Ukrainë kundër Serbisë dhe të fitojnë më shumë se sa që kanë llogaritur më parë, duke e paraqitur veten si luftëtar të madh kundër totalitarizmit rus, fashizmit etj. Nëse dikush mendon se mund të na shantazhojë apo mund ta thyejë Serbinë me presione, nuk do të shkojë aq lehtë sa e imagjinonin ata”, ka deklaruar Vuçiq, transmeton Paparaci.
I pyetur se çfarë mund të bëjë Serbia, Vuçiq tha se Serbia do të luftojë në skenën ndërkombëtare për tërheqjen e mëtejshme të njohjeve të Kosovës.
Sa i përket Ukrainës, Vuçiq ka deklaruar se “ata janë miqtë tanë”, dhe sa i përket parimit, sipas fjalëve të tij, “kudo që të shikoni, kudo që të jeni në botë, do ta kuptoni qartë se ekziston vetëm një parim – se nuk ka asnjë parim”.
“Parimit i përmbahet vetëm Serbia, kur i pyetni për integritetin territorial të Serbisë, pasi që tani flasin për integritetin territorial të Ukrainës, hasni në një mur dhe përgjigjen “këto janë kohëra tjera”, është e kotë të flasësh për parime. Por të mendojmë se do të fitojmë për shkak të saj ose se do të përfitojmë prej saj – jo. Ka thënë Vuçiq./Paparaci.
