Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, është deklaruar pas aksionit të policisë të koduar “Gropa” në Ferizaj, ku u arrestuan 10 persona dhe i kapën afro 70 kilogramë e llojit “Heroinë”.
Ministri Sveçla një njoftim të tillë e ka bërë përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.
Ndërkohë, që Policia e Kosovës, pas përfundimit të këtij aksioni, ende s’ka dalë me një komunikatë zyrtare.
Një praktikë e tillë ku një ministër luan rolin e një zëdhënësi të Policisë duke dhënë detaje për aksionet, para se një deklarim i tillë të ndodhë nga vetë Policia, nuk është praktikuar dhe as s’ka ndodhur më parë në vendin tonë.
“Edhe një aksion i suksesshëm i Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës sot shkatërroi laboratorin e drogës sintetike në Ferizaj me ç’rast janë konfiskuar mbi 68 kg drogë dhe janë arrestuar 10 persona”, shkruan Sveçla.
“Ky lloj droge është jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e njeriut. Përgëzime dhe vlerësime maksimale për policinë dhe prokurorinë. Vazhdojmë të përkushtuar maksimalisht në mbrojtje të jetës së qytetarëve tanë”, përfundon postimi i tij.
Më herët Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se personat e arrestuar janë ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”
