Një javë para zgjedhjeve, 12 koalicione janë lidhur ndërmjet partive politike që do të garojnë në balotazh.
Me më së shumti marrëveshje koalicioni radhitet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Partia e Ramush Haradinaj ka lidhur në total shtatë koalicione në shtatë komuna, rapoton Paparaci.
Ndërkaq, me gashtë marrëveshje koalicioni qëndron Partia Demokratike e Kosovës. Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë nënshkruar nga tri koalicione secila.
Në Gjilan, LDK ka bërë koalicion me AAK-në e AKR-në. Për të parin e kësaj komune, më 14 nëntor do të përballen kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri dhe ai i LVV-së, Alban Hyseni.
Në Prizren, koalicion është lidhur mes PDK-së e Nismës. Për kryetar të kësaj komune do të garojnë kryetari aktual, nga LVV, Mytaher Haskuka dhe kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj. PDK për balotazh ka lidhur koalicion edhe me AAK-në e AKR-në.
Mirëpo ky nuk është koalicioni i vetëm në Prizren, pasi LVV ka lidhur koalicion me NDS-në.
Në Vushtrri, PDK ka thelluar bashkëpunimin me AAK-në e KDTP-në. Kryetari aktual, nga LDK, Xhafer Tahiri do të ballafaqohet me Ferit Idrizin e PDK-së.
Të dielën e ardhshme, në 21 komuna të Kosovës do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, pasi kryetari nuk u arrit të përcaktohet në raundin e parë.
