Nuk është koha për t’u ulur në dy karrige dhe Serbia duhet të zgjedhë një anë, tha të hënën kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, duke komentuar vizitën e anuluar të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Beograd.
Plenkoviq tha se çështja e asaj vizite “nuk ka të bëjë me Kroacinë” dhe se është një çështje midis Moskës dhe Beogradit, por theksoi se Serbia “në rrethana të tilla duhet të jetë shumë e kujdesshme se anën e kujt do ta zgjedhë”, raporton Novi list, transmeton Paparaci.
“Nëse ajo ka ambicie për të shkuar në Bashkimin Evropian, duhet të dini se ku është. Nuk është koha për t’u ulur në dy karrige”, tha kryeministri në konferencën për shtyp në të cilën u prezantuan masat për lehtësimin e çmimit të energjisë.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të mbërrinte në Beograd të hënën, por vizita u anulua pasi Bullgaria, Maqedonia veriore dhe Mali i Zi mbyllën hapësirën e tyre ajrore.
Në vend që të vizitojë Serbinë, Lavrov do të mbajë një konferencë për shtyp në internet, raportoi RIA Novosti, përcjell Paparaci.
