Rreth një muaj pas triumfit të FC Llapit në Kupën e Kosovës në maj të vitit të kaluar, Komuna e Podujevës shpërbleu me 10 mijë euro klubin e vetëm profesionist të futbollit në qytet.
Me propozimin e qeverisjes komunale, të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, vendimi për subvencionimin e FC Llapit në vlerë prej 10 mijë eurove u miratua nga këshilltarët komunalë më 4 qershor, 2021, raporton Paparaci.
Një vit më vonë, një raport i Zyrës Kombëtare të Auditorit ka hedhur dritë mbi prapaskenat e këtij vendimi të komunës, të nxjerrë me arsyetim suksesin e FC Llapit në Kupën e Kosovës.
FC Llapi ka rezultuar të jetë një subjekt i papërshtatshëm për subvencionim. Klubi i futbollit, i cili funksionin me statut të Organizatës Jo-qeveritare, nuk kishte plotësuar kriteret e kërkuara për subvencionim.
Mirëpo, komuna e qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje, i ka kryer një favor FC Llapit. E ka subvencionuar atë me 10 mijë euro në mungesë të raportit financiar të klubit.
Auditori Gjeneral ka gjetur se komuna aprovoi ndarjen e 10 mijë eurove për FC Llapin, ndonëse klubi që menaxhohet nga Tahir Batatina nuk e kishte dorëzuar raportin financiar të klubit, një nga kërkesat e parapara ligjore për subvencionimin e OJQ-ve.
“Një OJQ/Klubi i futbollit kishte përfituar 10.000 euro subvencion, por nuk kishte dorëzuar raport financiar”, ka gjetur Auditori i Përgjithshëm në raportin vjetor të auditimit për Komunën e Podujevës për vitin 2022, raporton Paparaci.
Mungesa e raportimit për subvencionet e marra nga OJQ-të “paraqet shkelje të rënda”, thuhet në raportin e Auditorit Gjeneral.
“Mos respektimi i rregullores mund të rezultojë që komuna të bashkëpunoj me OJQ të pa përshtatshëm. Kurse mungesa e raportimit nga ana e përfituesit të subvencioneve mund të rezultojë në keqpërdorim të buxhetit dhe dështim në arritjen e objektivave”, thuhet në raport.
Përpos Llapit, nga Komuna e Podujevës kishte përfituar edhe një klub tjetër futbolli.
Auditori ka gjetur shkelje në ndarjen e 1 mijë e 250 eurove të tjera nga buxheti komunal për një tjetër organizatë sportive.
“Një organizatë Jo Qeveritare në fushën e sportit ka përfituar subvencion në vlerë 1250 euro, pa paraqitur dëshmi se kanë kryer obligime tatimore ndaj ATK”, thekson Audtiori Gjeneral.
Përveç si OJQ, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ekziston i regjistruar një kompani private e emërtuar “K.F. Llapi 1932” Sh.P.K.. Aksionari kryesor i biznesit figuron Tahir Batatina, i cili është edhe kryetrajner i skuadrës së parë të FC Llapit. /Paparaci.com