Nga tre xhiro të zhvilluara në Premier League, skuadra e Liverpool nuk ka arritur akoma të marrë fitoren e parë, ndërsa i shqetësuar është shprehur trajneri, Jurgen Klopp.
“The Reds” dështuan edhe dje përball Manchester United, pasi u mposhtën në “Old Trafford” me rezultat 2:1. Kjo ishte humbja e parë në ligë si mysafirë te United që nga viti 2018.
Përkundër humbjes, tekniku gjerman u shpreh se ata luajtën lojë të mirë, mirëpo mungesat e futbollistëve dolën të ishin problem.
“Pashë një paraqitje të mirë. Ne mund ta kishim fituar ndeshjen sonte nëse do të kishim luajtur pak më mirë”, tha Klopp.
“Jam i shqetësuar për situatën tonë, nuk është e lehtë për momentin, por kështu është. Ne do të përgatitemi tani për Bournemouth, Newcastle dhe Everton. Ne mund të luajmë më mirë, ne e dimë këtë”, ka përfunduar Klopp.
