Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se nuk ka kohë më të mirë për vizitën e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në Kosovë, sesa nesër.
Simiq tha se vizita e kryeministres serbe është e rëndësishme para së gjithash për shkak të numrit të madh të projekteve që, siç thotë ai, nënkuptojnë “jetë për serbët në Kosovë”.
“Ne do të dërgojmë një mesazh të qartë se besojmë vetëm në shtetin e Serbisë, se është vetëm vendi ynë, se besojmë në presidentin Vuçiq, udhëheqjen tonë shtetërore dhe do të kërkojmë që investimet në komunat, fshatrat serbe, të vazhdojnë me me të njëjtin intensitet si deri tani, siç ka qenë në vitet e fundit”, tha Simiq.
Kryeministrja e Serbisë do të hyjë me letërnjoftim në territorin e Kosovës, teksa Simiq thotë se identifikimi do të jetë i njëjtë “sikur të ishte në ndonjë pjesë tjetër të Serbisë”.
Simiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk po mundet ta fshehë zemërimin e tij për gjithçka që kryesia shtetërore e Serbisë po bën “për ta stabilizuar situatën në terren”, raporton KosovoOnline, transmeton Klankosova.tv.
“Kurti pret që këtu të ketë tension, probleme, kaos, e gjitha kjo falë lëvizjeve të tij të njëanshme. Ne jemi të interesuar për paqen dhe ky është mesazhi kryesor që populli serb pret të dëgjojë nga kryeministrja Bërnabiq, si dhe që të ketë investim që do të mundësojë jetë më të mirë për qytetarët, më shumë vende pune, qëndrim dhe mbijetesë të serbëve në këto zona”, theksoi nënkryetari i Listës Serbe.
