Pavarësisht pretendimeve se disa deputetë të Vetëvendosjes do të kalojnë në opozitë, një gjë të tillë e kanë mohuar nga partia në pushtet.
Megjithatë, sipas deputetit Agon Batusha, opozitarët po fshihen pas sindikatave për të krijuar pakënaqësi ndaj Qeverisë Kurti.
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku ka thënë se nga zhgënjimi çdo ditë brenda e jashtë kuvendit, Vetëvendosja po përçahet, gjë që sipas tij kjo mund të sjellë zgjedhje të jashtëzakonshme.
Valentina Bunjaku nga LDK-ja, ka kritikuar qeverinë se vazhdimisht po krijon kriza, derisa sipas saj është në duart e qytetarëve për t’i vlerësuar dështimet e saj.
Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pavarësisht mos aftësisë për qeverisje, opozita nuk do të mund t’i bëjë numrat për të ngritur mocion mosbesimi ndaj partisë në pushtet.
Pakënaqësi mes grupit parlamentar të VV-së, janë shprehur edhe gjatë seancave të fundit në Kuvend.
Kurse, javën e kaluar kanë qenë dy deputetët Visar Korenica e Eman Rrahmani që nuk kanë përjashtuar largimet e deputetëve pas mospërkrahjes së Kodit Civil.
