Ish-zëvendësdrejtoresha e Korporatës Energjetike të Kosovës, Pranvera Dobruna ka thënë se banesën të cilën e kishte marrë në shfrytëzim nga korporata publike, e kishte blerë për rreth 13 mijë euro në vitin 2013.
Ajo, derisa po raportonte para anëtarëve të Komisionit Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës, tha se banesën e bleu nga Korporata Energjetike e Kosovës.
Banesa ka sipërfaqe prej 114 metrave katror, bëri të ditur ajo, pasi u pyet nga deputeti dhe anëtari i komisionit, Armend Muja.
“E kam privatizu në vitin 2013 dhe vlera ka qenë 12 mijë, 13 mijë euro”, tha ajo.
Bazuar në një përllogaritje të thjeshtë, banesa prej 114 metrave katror e blerë nga Dobruna i ka kushtuar asaj nga 105 euro për metër katror.
Banesat në Prishtinë që nga viti 2010 janë shitur me çmime shumë herë më të larta. Momentalisht çmimi i një metri katror të objekteve banesore në kryeqytet ka vlerë prej rreth një mijë eurove për metër.
