Derisa kryenegociatori i palës kosovare në dialogun me Serbinë ndodhet në Bruksel, kryeministri Albn Kurti ka thënë nga Prishtina se Kosova është e gatshme të diskutojë “një orë e më parë” për propozimin franko-gjerman.
Kurti tha se shtyrja e zbatimit të fazës së dytë të vendimit për targat ndërlidhet me mundësinë e arritjes së një marrëveshje në dialogun në Bruksel.
“Dje e kemi shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat dhe e kemi bërë këtë për t’i dhënë mundësi arritjes së një marrëveshje që ishte afër të ndodhte në Bruksel”, tha Kurti.
Kryeministri ka thënë se Kosova do të jetë konstruktive edhe në bisedimet që pritet të zhvillohen sot mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.
“Nuk është koha për ambicie të vogla, por është koha e hapave të mëdhenj. Prandaj, ne jemi të gatshëm që propozimi i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vendoset në tryezë një orë e më parë”, ka thnë Kurti.
