Moderataori i emisionit “Kampionët” në televizionin kabllor Kanal 10, Lorik Gashi ka mohuar të ketë pasur përleshje me grushte mes kryetarit të Trepçës 89, Abedin Zeka dhe ndihmëstrajnerit të Kosovës U-15, Faruk Statovci.
Gashi, në një shkrim në Facebook të dielën në mesnatë, tha se debati i tensionuar gjatë emisionit ka vazhduar edhe pas përfundimit të debatit televiziv.
Mirëpo, ai ka thënë se përplasja fizike mes dy personazheve të debatit të mbrëmshëm është shmangur nga stafi i televizionit.
“Në emisionin e fundit për këtë vit kemi diskutuar për (mos) licencimin e FFK-së, por debati i tensionuar, fatkeqësisht ka vazhduar edhe pas përfundimit të emisionit. Megjithatë, të ftuarit e tjerë dhe stafi kanë ndërhyrë për të evituar atë që s’duhet të ndodhte mes zotërinjëve Zeka dhe Statovci. Më vjen keq për atë që ka ndodhur dhe shpresoj ta vazhdojmë debatin për të gjitha temat e sportit në vitin tjetër”, ka thënë ai.
Mediat raportuan se kreu i Trepçës 89 dhe Faruk Statovci janë përleshur fizikisht pas përfundimit të emisionit të dielën në mbrëmje.
