Presidenti i Trepçës 89, Abedin Zeka e ka kërcënuar të dielën në një debat televiziv ndihmëstrajnerin e Kosovës U-15, Faruk Statovci.
Përplasja mes tyre, e cila u raportua se eskaloi në grushte pas emisionit, ishte tensionuar përgjatë debatit televiziv në Kanal 10 të dielën në mbrëmje.
Abedin Zeka e kërcënoi Faruk Statovcin me qërim hesapesh pas përfundimit të emisionit.
Debati mes tyre u tensionua pasi Statovci tha se vetëm “pesë ose gjashtë klube janë mbledhur” për të diskutuar zhvillimet e fundit në futbollin e Kosovës, derisa Zeka pretendon se më shumë përfaqësues klubesh ishin mbledhur në një takim të premten.
“Nuk e pata me ty kurrgjë edhe mos mu drejto hiç”, i tha Statovci, Zekës. “E ke kry me mua ti. Unë nuk ta përmenda ty emrin, por kush e ka mizën ma s’veshi. Mos mu drejtu kurrë hiç. Jam shumë ma i madh se ti unë”.
Zeka reagoi me të njëjtin ton ndaj Statovcit. Ai e kërcënoi ndihmës/trajnerin e Kosovës me qërim hesapesh.
“Po kush je ti mos me tu drejtu. Pse po rren që ‘askush nuk e ka thirr klubin e Ferizajt?. Kush ti a? Ti ma i madh se unë a? Qetash pas emisionit ta tregoj kush është më i madh e kush më i vogël”, vazhdoi Zeka. “Ec bre! Qetash kryhet emisioni edhe…”
Statovci tha se nuk frikohet nga kërcënimet e Zekës.
“Veç atij nalt që ma ka dhënë shpirtin, atij i tutna unë”, tha Statovci.
