Të fundit

Çka tha mbrëmë Vjosa Osmani për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është në pritje të vendimeve të gjykatave para se të vendosë përfundimisht rreth dekretimit të të propozuarit për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj.

Osmani, në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, tha të mërkurën se vendimmarrja rreth dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit, ndërlidhet me lëndën gjyqësore lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.

“Është vendim i Kushtetueses a do ta dekretoj apo jo. Natyrisht, unë po e respektoj parimin e sundimit të ligjit, dhe po e respektoj sistemin tonë juridik. Po i pres gjykatat në mënyrë që ato të deklarohen lidhur me çështjet që janë ngritur nga kundërkandidatët, cili do që jenë ata”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani të mërkurën në Klan Kosova.

Osmani tha se vendimin lidhur me dekretimin e të propozuarit për Kryeprokuror të Shtetit do ta marrë pas shqyrtimit “të dokumentacionit që e kam”.

“Unë as s’kam pyetur se kush janë personat që e kanë dërguar lëndën, por lënda për momentin është në gjykata. Në momentin që përfundon kjo procedurë, unë do t’i marr ato vendime që natyrisht do të më ndihmojnë mua në marrjen e vendimit final. Por, shqyrtimin e gjithë dokumentacionit që e kam do ta bëj si presidente dhe do ta marr vendimin”, ka thënë Osmani.

Të enjten, Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë ankesën e Shqipdon Fazliut, kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, i cili nuk kishte arritur të listohet i pari në garë dhe është ankuar në gjykata kundrejt procesit.

Në maj të këtij viti, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, por vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Më 13 qershor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar shtatë prokurorë me mandat fillestar, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Por, ndryshe nga afati ligjor prej 60 ditësh për dekretimin e prokurorëve, presidentja e Kosovës nuk ka ndonjë afat kushtetues dhe ligjor për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i kishte skaduar mandati më 21 prill.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci