Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, i cili aktualisht po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë, është infektuar me COVID-19.
Për gjendjen e tij shëndetësore ka folur edhe gruaja e tij Gjejlone Haradinaj, transmeton Paparaci.
“Nasimi ka gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka qenë i vaksinuar me dy dozat kundër Coronavirusit. Simptomat janë të lehta një kollë dhe asgjë më shumë, sikur grip sezonal. Për momentin është në izolim”, tha Haradinaj për Shqip.com
Tutje ajo ka shtuar se Haradinaj nuk i është nënshtruar asnjë lloj terapie.
“Ka marrë veç dy kokrra Paracetamol, vetëm për të parandaluar ndonjë temperaturë të mundshme. Nuk i është përshkruar terapi pasi që gëzon shëndet të mirë”, shtoi ajo.
Kujtojmë se ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj ishte arrestuar më 25 shtator 2020 në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
