Zyrtarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se vetëmenaxhimi është më shumë se Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe.
Sipas saj, ka pasur parime të LVV-së për Asociacionin të cilat siç thotë ajo, kanë rënë në tokë. Ajo shtoi se vetëmenaxhimi është i padefinuar dhe përfshinë të gjithë komunitetin serb “që mund të jetë krejt përtej komunave serbe”.
“Ka një diskrepancë totale në mes të asaj që pajtohet LVV në procesin e dialogut për të gjitha dakordimet e bëra por ka edhe një diskurs publik karshi elektoratit shumë të kujdesshëm dhe që luan me ndjenjat e qytetarëve duke mos thënë saktësisht atë që është arritur”, thotë ajo për Debat Plusin.
“Ka pasur principe, parime, që i ka vënë si parakushte, ka thënë që do të jetë prioriteti i fundit, që kërkon njohje reciproke, marrëveshje finale, të cilat kanë rënë në tokë duke u dakorduar për një marrëveshje që qysh në premabulë pranon të evitojë të kaluarën, të tejkalojë të kaluarën, dhe kjo ka qenë një kompromis i jashtëzakonshëm që nuk është bërë në marrëveshjet e tjera dhe pikë e së cilës për herë të parë prezantohet një koncept i ri që është vetëmenaxhimi që në esencë është më shumë se Asociacioni”.
Duke i komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe kryekuvendarit Glauk Konjufca, Lushaku-Sadriu shprehet se të dy janë të koordinuar në kuptimin e roleve.
“Njëri i flet elektoratit të vet për ta mbajtur gjallë dëshirën për të besuar në diçka që këto marrëveshje janë vërtetë në linjat e dëshirës të elektoratit të VV-së dhe në anën tjetër kemi një kryeministër që herë thotë se është arritur Asociacioni me këtë marrëveshje është siguruar implementimi e herë thotë nuk ka Asociacion aty, insiston që të përdoret termi vetë-menaxhim sepse është më lehtë i arsyetueshëm”, vijoi ajo.
Krejt kjo krijon një huti te publiku, shton Lushaku.
