Blerim Latifi, ish-këshilltari i ish-presidentin Hashim Thaçi, ka thënë se kërkesa për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe, nga ana e Bashkimit Evropian është diplomaci e forcës.
Një kërkesë e tillë sipas tij vjen nga duart e “burokratëve të pavlerë të Brukselit” të cilëve iu ka mbetur Bashkimi Evropian në duar. Tutje ai ka shtuar se BE-ja ka filluar të veproj sikurse Serbia, duke ushtruar presion mbi Kosovën.
“Serbia e kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje nuk lë ditë pa e përmendur se nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk është dialog. As negociatë. Është diplomaci e forcës. Bashkimi Europian, i mbetur në duart e burokratëve të pavlerë të Brukselit, kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje as liberalizimin e vizave të premtuar qysh moti, edhe përkundër faktit se sot Kosova qëndron më mirë në sundimin e ligjit se të gjitha vendet e rajonit. Pra edhe Bashkimi Europian po vepron njëjtë si Serbia, me gjuhën e diplomacisë që presionin e orienton tek pala e dobët. Na thonë se keni obligim t’i zbatoni marrëveshjet e nënshkruara. E ju zotërinj burokratë të Brukselit pse nuk po e zbatoni obligimin për liberalizimin e vizave? Pse këto standarte të dyfishta? “, ka shkruar ai.
Latifi në Facebook ka shkruar se BE-ja me standardet e dyfishta ka shndërruar dialogun në një platformë që i shërben vetëm Serbisë. Kësisoj sipas tij Kosova duhet t’ju rezistojë presioneve të BE-së.
“Kuptohet lehtë: standartet e dyfishta bëjnë pjesë në diplomacinë e forcës, në diplomacinë e të mbështeturit për muri. Ky dialog qartazi është shndërruar në një platformë që i shërben Serbisë në rrugën e integrimit europian, derisa Kosovës nuk i garantohet asgjë në këtë drejtim. Në këtë pikëpamje unë jam për rezistencë ndaj presionit që po na bëhet. Sepse vetëm ata që rezistojnë mund të fitojnë diçka. Ata që ulin kokën dhe pranojnë gjithçka që u kërkohet, nuk do të marrin asgjë më shumë se fjalët e bukura, të cilat i merr era e parë që fryen”, ka shtuar Latifi.
