Shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka deklaruar se përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e Policisë së Kosovës apo kadetët që fillojnë karrierën në polici duhet të dënohen pa rezerva.
Të njëjtit, siç shkroi ai, janë përgjegjës që duhet të japin llogari, transmeton Paparaci.
“Të gjitha përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e PK-së apo kadetët që fillojnë karrierën në polici duhet të dënohen pa rezerva. Ata që janë përgjegjës duhet t’i nënshtrohen me vendosmëri dhënies së llogarisë”, deklaroi ai.
Gjatë kësaj jave, e filluan punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë. Në Policinë e Kosovës bënë të ditur se 45 prej tyre janë nga komuniteti serb, 16 nga ai boshnjak, 8 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe tre turq.
