Prokuroria e Tribunalit të Hagës ishte vënë në kërkim të dëshmitarëve në gjyqin ndaj Komandant “Çelikut” të UÇK-së.
Njëri prej dëshmitarëve që Prokuroria e propozoi ishte edhe Avni Sinani, një ish-oficer i Brigadës 121 të UÇK-së, komandant i së cilës ishte Fatmir Limaj.
Sinani nuk ishte vetëm një oficer i thjeshtë lufte. Ai ishte ushtarak me profesion. Kishte shërbyer deri në vitin 1992 në ish-Armatën Jugosllave, i shkolluar si teknik i aviacionit. Konsiderohej si një nga njerëzit më të zotë të brigadës së komanduar nga Limaj.
Në një intervistë për Paparacin, Sinani ka rrëfyer se si i ishin ofruar para nga Prokuroria në Hagë për të dëshmuar kundër ish-komandantit të tij në UÇK.
Sinani iu ishte ofruar mbrojtjes së Limajt dhe të tjerëve në Hagë, të cilëve u kishte thënë se dëshironte të dëshmonte në sallën e gjyqit në Tribunalin e Hagës rastin e ryshfetit.
“Prokuroria nuk e ka ditë, se normal me pasë ditë që i kam akuzuar për mito nuk më kishin dërguar në Hagë. Kur mbërriva unë në Hagë të mërkurën në mbrëmje – ka qenë muaji i dytë, viti 2005 – derisa atje ka qenë duke u zhvillu procesi gjyqësor”, ka rrëfyer ai. “Të enjten në mëngjes ka qenë e paraparë, që unë si dëshmitar i Prokurorisë të jepja një deklaratë me incizim me kamera para se të më fusnin në seancë”.
Sinani ka vazhduar rrëfimin: “Kur kam mbërri në Hagë, avokatët një kopje timen ia dërgojnë Prokurorisë dhe një ia dërgojnë Gjykatës. Pasi e shohin deklaratën që ia kam dhënë mbrojtës, aty krijohet një kaos. Më urdhërojnë mua të kthehem në hotel, derisa këta e studiojnë deklaratën që unë ia kisha dhënë mbrojtjes.”
Ai ka rrëfyer prapaskenat e diskutimeve në Hagë, ku kishte shkuar në cilësinë e dëshmitarit të propozuar nga Prokuroria, por me një qëllim: që të denonconte një rast, sipas tij, të ryshfetit që i ishte ofruar nga hetuesit e Prokurorisë së Hagës.
“Kur u ktheva nga hoteli, më bërtitke në anglisht një hetues i Prokurorisë. Një orë më ka bërtitur. Unë as nuk e kuptojsha të gjithën, disa i kuptojsha, disa jo. Pas një ore filloi të më shkonte për nerva. I thash përkthyesit, me kënd është tu fol ai? Kur i thotë ky nuk po e di kujt po i bërtet, ata u çmendën”, tha ai.
“I thash se unë do të hyj në seancë dhe ka me tregu që me keni ofruar pare”, përfundoi Sinani.
