Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka dhënë detaje lidhur me aksionin që patën me helikopterë për fikjen e zjarreve që kanë shpërthyer në Prevallë për ditë me radhë.
Në njoftimin e lëshuar në Facebook, KFOR deklaron se helikopterët e përdorur për intervenim kundër zjarrit ishin të Komandës Rajonale në Lindje të misionit të NATO-s.
“KFOR-i ka ofruar asistencë me kërkesë të institucioneve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Autoritetet kosovare që nga e diela e kaluar janë përballur me zjarret në Oshlak dhe më pas në Prevallë.
Për shkak të terrenit të vështirë malor, zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur të shuajnë zjarret, ndërkaq në ditët e fundit këto zjarre kanë tentuar t’i shuajnë duke angazhuar disa motokros.
Pjesa më e madhe e zjarrit është shuar tek pas intervenimit nga KFOR-i me helikopterë.
