Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se komuniteti serb ka bërë hap të madh drejt integrimit, duke konvertuar patentë-shoferët ilegalë.
Ai ka thënë se janë 6 mijë e 509 aplikime.
Postimi i tij i plotë:
6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës. Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok.
Afati për regjistrimin e tyre, nisi më 9 maj, dhe ishte i paraparë deri më 9 gusht. Për shkak të kërkesave të shumta dhe interesimit të lartë për konvertimin e patentë-shoferëve, e kemi shtyrë të njëjtin për 2 javë, deri ditën e djeshme më 23 gusht. Kjo periudhë më shumë se 3 mujore e konvertimit, kaloi pa asnjë incident apo ankesë.
Qytetarët tanë nga komuniteti serb kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit, duke iu përgjigjur në masë thirrjes për aplikim për konvertimin e këtij dokumenti.
I falënderoj të gjithë qytetarët tanë të cilët e shfrytëzuan pozitivisht këtë mundësi, si dhe zyrtarët e institucioneve tona në zyrat e qendrat e regjistrimit, për punën e tyre dhe asistimin e aplikuesve në këtë proces.
