Pa i pyetur e pa i konsultuar fare ekipet e Klan Kosovës dhe një mediumi tjetër, ua ndërroi vendin pajisjeve të këtyre dy televizioneve.
Madje, nuk pranoi diskutim fare për këtë çështje.
“Po fluturoni prej ktuhit”.
Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, që i nervozohet kameramanit të Klanit, pengon edhe xhirimin e kësaj situate, madje edhe duke rrëmbyer telefonin nga dora, raporton Klan Kosova.
Nga kjo sjellje distancohen nikoqirët e tij në degën e partisë së Albin Kurtit në Klinë.
Kjo nuk e ndaloi ekipin e Klanit të vazhdojë raportimin për fushatën e vetëvendosjes në këtë komunë, ku tubimi i thirrur nisi me vonesë e tribunat nuk u mbushën plotë.
Por, ata që erdhën, numrin 1 të Vetëvendosjes e pritën me brohoritje.
Megjithëse rivalët politikë i quajtën të dobët, këtu u morën goxha me opozitën.
Deklarimet kundër partive tjera i pati në agjendë edhe kryeministri ende në detyrë.
Kurti tha që nëse i besohet mandati tjetër, ai dhe qeveria e tij do të vazhdojnë me investimet për forcimin e ushtrisë.
Një premtim ua dha edhe qytetareve të Klinës për hekurudhën, teksa tha se këndejpari, sikur edhe gjetiu, do të ketë trena të shpejtë.
Nga bina ku po fliste, Kurti u dërgoi puthje mbështetësve të këtushëm, duke u kërkuar që më 9 shkurt t’i sigurojnë 6 mijë e 500 vota për partinë e tij.
