Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka uruar për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë letër, veç të tjerash, Gjermania i ka kërkuar Kosovës që të angazhohet në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Angazhimi i Kosovës në dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për Normalizim, të cilën Kosova e ka marrë përsipër si detyrim, vazhdojnë të jenë urgjente”, thuhej në letrën e urimit.
Më tej, Steinmeier ka potencuar se në çështjet e politikës së jashtme, Kosova është pozicionuar qartësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, veçanërisht në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, në shkelje të të drejtës ndërkombëtare.
“Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, thuhet në urim.
Në fund të urimit të tij, Presidenti Steinmeier ka theksuar se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës, duke përkrahur stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin evropian.
