Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka refuzuar sërish të përgjigjet për gazetarët para seancës së sotme.
Ai u pyet nëse do të shkojë në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar daljen nga bllokada, por Kurti s’u përgjigj.
Presidentja Vjosa Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit, raporton Paparaci.
Osmani tashmë ka dërguar ftesat për takimet e para me liderët e partive politike. Deri më tash përgjigje pozitive kanë dhënë PDK, LDK dhe AAK.
Kujtojmë se për 14 herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit.
Vetëvendosje po insiston në Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, emër ky që po refuzohet nga partitë e tjera, të cilat po e shohin si figurë përçarëse.
Sot në orën 10:00 deputetët e Kuvendit do të mblidhen për vazhdimin e 15-të me radhë të seancës konstituive.
Ndërkohë që asnjë nga partitë parlamentare nuk ka treguar për ndryshim qëndrimesh.
Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar në ndryshim të mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga e hapur në të fshehë, ndërkohë që kjo është kundërshtuar nga partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë.
Ndryshimi i mënyrës së votimit ka dështuar të kalojë gjashtë herë.
Kërkesa për ndryshim të formës së votimit është dërguar të hënën për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituim të organit ligjvënës, presidentja e ka ftuar një takim konsultatitv për datën 15 maj. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe AAK-ja e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkohë që nga LVV-ja nuk janë deklaruar.
