Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka prezantuar sot emrin më të ri që i bashkohet ekipit të tij për Kuvendin Komunal. Bëhet fjalë për Fjolla Feratin, një artiste vizuale dhe ilustratore e njohur, e cila vjen me një përvojë të pasur nga fusha e artit dhe edukimit kulturor.
“Mirë se vjen Fjolla! Jam shumë i lumtur që sot i bashkohet ekipit tonë një emër i spikatur nga fusha e artit, Fjolla Ferati,” ka shkruar Idrizi në një postim zyrtar, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së profileve krijuese në vendimmarrjen komunale.
Fjolla Ferati është e lindur dhe rritur në Vushtrri. Ajo ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin “Vizatim dhe Ilustrim”. Gjatë karrierës së saj artistike, ajo ka përfaqësuar Kosovën në shumë galeri brenda dhe jashtë vendit, me ekspozita personale dhe kolektive në Prishtinë, Zvicër, Bullgari, Francë, Suedi dhe Danimarkë.
Përveç krijimtarisë së saj artistike, Fjolla ka kontribuar në projekte edukative dhe kulturore, si dhe ka qenë mësimdhënëse në fushën e artit pamor, duke ndarë njohuritë e saj me brezat e rinj.
Në postimin e tij, Idrizi ka përmendur edhe ndikimin personal që gjyshi i Fjollës ka pasur në formësimin e saj si artiste, përmes pasionit të tij për instrumentet tradicionale shqiptare si sharkia dhe çiftelia.
“Jam krenar që Fjolla i bashkohet listës sonë për Kuvendin Komunal dhe së bashku me të e të gjithë emrat tjerë që do t’i bëjmë publik ditëve në vijim, do të vazhdojmë të punojmë për Vushtrrinë tonë, për artin, kulturën dhe rininë tonë të mrekullueshme,” ka theksuar Idrizi.
