Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë ka paralajmëruar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë nëpër Kosovë, pasi aktualisht konsiderohet si një “zonë me rrezik”, për shkak të situatës së pasigurt të sigurisë, veçanërisht në veri, shkruan portali serb “Kosovoonline”.
Qytetarëve rumunë u këshillohet që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë dhe të jenë të kujdesshëm gjatë udhëtimit në Kosovë.
“Situata e sigurisë në Kosovë mbetet e paparashikueshme, sidomos në veri të Kosovës, ku rreziku nga incidentet e dhunshme është i lartë. UNMIK dhe KFOR ofrojnë informacionet më të fundit për sigurinë në faqet e tyre zyrtare të internetit. Në rast krizash, informacionet do të jenë të disponueshme edhe përmes radios së KFOR-it (96.6 FM)”, pretendohet në kumtesë, transmeton Paparaci.
Në rast se ndonjë qytetar megjithatë vendos të udhëtojë përmes Kosovës, Ministria u rekomandon atyre të informohen paraprakisht për situatën e sigurisë në rajon.
Janë dhënë gjithashtu rekomandime për qytetarët rumunë që ndodhen në Kosovë dhe që dëshirojnë të kontaktojnë Ministrinë në raste urgjente.
“Në këtë drejtim, rekomandohet ndjekja e rregullt e faqes së internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme (www.mae.ro). Që të mund të kontaktohen shpejt në raste urgjente, qytetarëve rumunë që tashmë ndodhen në Kosovë u rekomandohet të kontaktojnë Zyrën Ndërlidhëse të Rumanisë në Prishtinë dhe të regjistrojnë praninë e tyre në atë zonë”, thuhet në rekomandim.
Ministria i këshillon qytetarët e saj që “të mos marrin pjesë në demonstrata që mund të përshkallëzohen në dhunë”./Paparaci.com
