Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të tentojë të shkojë në Egjipt për nënshkrimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Shtoi se pret që Hamasi të lirojë pengjet të hënën ose të martën.
Duke folur gjatë mbledhjes së kabinetit të enjten, Trump tha se marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit i “ka dhënë fund luftës në Gazë” dhe do të çojë në paqe më të gjerë në Lindjen e Mesme.
“Kemi arritur lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura dhe ata duhet të lirohen të hënën ose të martën”, tha Trump gjatë mbledhjes me sekretarët e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Por, Trump shtoi se trupat e disa pengjeve të vdekura do të jetë “vështirë që të gjenden”.
Trump njoftoi për planet për të udhëtuar për në Lindjen e Mesme edhe para se të zbulonte fazën e parë të planit të paqes të mërkurën, por tha se po bëhen përgatitje për një ndalesë të mundshme në Egjipt.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, tha më herët se e kishte ftuar homologun e tij amerikan të marrë pjesë në një “ceremoni që do të mbahet në Egjipt” për marrëveshjen e fazës së parë të armëpushimit.
Trump tha se po ashtu pret që të vizitojë Izraelin, duke shtuar se është ftuar që t’i adresohet Parlamentit izraelit.
Pas mbledhjes së kabinetit, nga Zyra Ovale, Trump tha për gazetarët se do të niset drejt Lindjes së Mesme të dielën.
