Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Prona e Veternikut”, ka ngrirë pasuri me vlerë mbi 10 milionë euro.
Masa është ndërmarrë më 13 tetor 2025, dhe përfshin 7 hektarë tokë, për të cilën ekziston dyshim i bazuar se është përfituar përmes veprës penale.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se në rastin e njohur si “Prona e Veternikut”, gjatë zhvillimit të hetimeve me datë 13.10.2025 ka ngrirë pasuri në vlerë mbi 10 milion euro duke lëshuar urdhër ndalues të përkohshëm për gjithsej 7 hektarë tokë dhe ka kërkuar nga gjykata që të lëshoj urdhrin përmes të cilit deri në përfundimin e procesit gjyqësor t’ua ndalojë personave që kanë interes shitjen, transferimin, dhurimin, zvogëlimin dhe ngarkimin e pronës në fjalë. Prona prej 7 hektarësh është pasuri e specifikuar për të cilën ka dyshim të bazuar se është përfituar me vepër penale”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit është duke i zhvilluar hetimet me intezitetin me të lartë dhe për të pandehurit A.G, Y.H dhe M.G ka nxjerrë vendim për zgjerimin e hetimeve edhe në drejtim të veprës penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 390 dhe “Deklarimet e rreme”, nga neni 384 të KPRK-së.
