Të hënën u nënshkrua Plani i Paqes për Gazën në një samit të organizuar në Egjipt.
Plani u nënshkrua nga Presidenti i Amerikës, Donald Trump i cili e cilësoi si moment historik.
Ndonëse kjo marrëveshje u mirëprit, po cilësohet edhe si “e paqartë dhe e papërcaktuar”.
Sipas analizës së Hugh Lovatt, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), paqartësia në detajet e planit mund të ketë qenë e qëllimshme, për të bindur të dyja palët armiqësore të pranonin kushtet fillestare.
“Fakti që Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit është një hap i rëndësishëm, por është ende herët për të folur për paqe. Çelësi do të jetë nëse marrëveshja mund të zbatohet vërtet dhe të dyja palët të mbajnë angazhimet e tyre,” tha ai për DW.
Plani i mbështetur nga SHBA-ja parasheh tërheqje graduale të trupave izraelite nga Gaza. Fillimisht, forcat do të tërhiqen në të ashtuquajturën “vijë të verdhë”, e cila ndan territorin në dy pjesë, ndërsa një “forcë ndërkombëtare stabilizimi” pritet të marrë kontrollin e sigurisë.
Vetëm pas vendosjes së kësaj force dhe krijimit të një autoriteti të ri kalimtar palestinez, trupat izraelite do të tërhiqen plotësisht në kufirin e tyre. Deri tani, asnjë afat kohor konkret nuk është dhënë për këtë proces.
Zona tampon përgjatë kufirit të Gazës mbetet një tjetër pikë e diskutueshme. Sipas organizatës izraelite Gisha, kjo zonë tashmë zgjatet deri në 1.100 metra brenda territorit të Gazës, rreth 17 për qind e të gjithë Rripit, çka nënkupton humbje të përhershme të tokës bujqësore dhe dëbim të shumë komuniteteve lokale. Izraeli argumenton se një hapësirë e tillë është e domosdoshme për sigurinë e tij, por palestinezët e shohin si shkelje të sovranitetit dhe pengesë për jetesën e tyre.
Një tjetër element i planit është krijimi i “forcës ndërkombëtare stabilizuese” (ISF), e cila do të përfshijë trupa nga vende partnere të SHBA-së, si Franca, Gjermania, Egjipti dhe ndoshta disa shtete arabe të tjera. Qëllimi i saj do të jetë ruajtja e rendit dhe trajnimi i një force të re policore palestineze. Por, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, kjo ide përballet me pengesa serioze.
“Nëse nuk ka një miratim të qartë nga grupet palestineze në terren, përfshirë Hamasin, është e vështirë të imagjinohet ndonjë forcë arabe që do të pranonte të vendosej në Gaza,” thuhet në raportin e CSIS.
Franca ka shprehur gatishmëri për të kontribuar në këtë mision, ndërsa Gjermania ka deklaruar se do të ndihmojë financiarisht, por pa dërguar trupa. Egjipti, nga ana tjetër, ka kërkuar përfshirje më të madhe amerikane. Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, tha për CNN se “ka nevojë për çizme amerikane në terren” për të garantuar një zbatim efektiv të armëpushimit.
Ndërkohë, rreth 200 ushtarë amerikanë kanë mbërritur tashmë në Izrael për të ngritur një qendër koordinimi civilo-ushtarake, e cila do të ndihmojë në mbikëqyrjen e procesit, megjithëse ata nuk pritet të hyjnë në territorin e Gazës.
Megjithëse marrëveshja shihet si një dritë e vogël shprese pas një konflikti shkatërrimtar, shumë mbetet ende e paqartë. Çështje si demilitarizimi i Gazës, garancitë ndërkombëtare dhe qëllimet afatgjata të qeverisë izraelite janë ende në tryezën e negociatave. Për momentin, ekspertët pajtohen vetëm për një gjë, paqartësia e planit mund të ndihmojë për të arritur armëpushimin, por mund të rrezikojë edhe vetë paqen që synon ta ndërtojë.
