Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka vlerësuar si jolegjitim vendimin e kryeministrit Albin Kurti të datës 10 nëntor të vitit të kaluar, nëpërmjet së cilit shkarkoi sekretarin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Shpend Trdevaj.
Trdevaj në një prononcim për Paparacin pas këtij vendimi ka thënë se është në disponimin e kryeministrit nëse ai do të zbatoj vendimin e këtij këshilli.
“Është në proces të zhvillimit një organet e drejtësisë ta shohim qysh po përfundon. Kryeministri e ka mundësinë në tavolinë, sigurisht varet prej disponimit të tij”, tha ai për Paparacin.
Sipas Trdevaj, Kurti për shkarkimin që ia bëri atij tashmë duhet të konsultohet me bashkëpunëtorët “që e kanë qitë para kësaj situate”.
“Sigurisht do t’i konsultoj zyrtarët dhe bashkëpunëtorët e tij që e kanë qitë para kësaj situate kur e ka vendosë në këtë mënyrë. Është në diskrecionin e tij”, shtoi Trdevaj.
Kryeministri Kurti obligohet që vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës zbatojë në një periudhë kohore prej 15 ditësh.
Trdevaj, ishte emëruar në pozitë pas procedurave të zhvilluara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Agim Veliut.
Sipas asaj që kishte thënë ministri Veliu, deri tek përzgjedhja e tre kandidatëve të suksesshëm për pozitën e Sekretarit të KSK-së ishin zhvilluan procedura në pajtim me dispozitat ligjore.
“Për këtë pozitë, Komisioni ka vlerësuar në mënyrë detale 17 aplikacione dhe prej tyre pesë janë selektuar për listë të ngushë. Komisioni, në bazë të rezultateve sipas intervistës, ka rekomanduar këta tre emra: Shpend Tërdevaj, Arbër Hadri dhe Nisim Mesushta. Në pajtim me Ligjin dhe Rregullorën, kryeministri i propozon qeverisë njërin prej kandidatëve të preferuar”, ka deklaruar ministri Veliu.
Por, kryeministri Kurti tha sot se procedura e rekrutimit në punë të Trdevajt në pozitën e Sekretarit të KSK-së, ishte bërë duke shpërfillur procedurat.
Shpend Trdevaj më parë ka qenë funksionar i Lidhjes Demokratike. Në vitin 2007, ai kishte garuar për Asamblenë Komunale të Klinës nga radhët e LDK-së, ndërkaq nga 2007 deri më 2010 në Qeverinë Thaçi 2 – pjesë e së cilës ishte edhe LDK – ai ishte emëruar zëvendësministër i MAPL-së.
