Memli Krasniqi nga PDK, ka deklaruar se fushata zgjedhore e kësaj partie është përmbyllur me sukses, duke e cilësuar atë si një fushatë shembullore dhe bashkuese.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Krasniqi ka theksuar se gjatë gjithë fushatës ka mbizotëruar energji pozitive, besim dhe vendosmëri për ndryshim.
“E përmbyllëm një fushatë të jashtëzakonshme. Një fushatë shembull. Një fushatë bashkimi”, ka shkruar ai, duke shtuar se qytetarët kanë dëshmuar përkushtim dhe shpresë për të ardhmen e vendit.
Krasniqi ka ritheksuar mbështetjen e tij për kandidatin e PDK-së për kryeministër, duke deklaruar se Bedri Hamza është zgjedhja më e mirë për Kosovën.
“Nesër është dita. Dilni dhe votoni. Votoni PDK dhe numrin 130”, ka bërë thirrje ai, duke theksuar se vota për PDK-në është votë për ndryshim, bashkim, stabilitet dhe mirëqenie.
Në fund, Krasniqi ka ftuar qytetarët për unitet dhe angazhim të përbashkët në procesin zgjedhor, nën sloganin “Bashkë. Përpara.”

